Besnik Tahiri thotë se Kosova është 100 % shtet sepse Prishtina trajtohet me ligj si Kryeqytet

Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se 100% shtet, nuk do të kishte kuptim pa Prishtinën Kryeqytet.

Tahiri ka thënë se Prishtina tashmë me status të veçantë është njëmend kryeqytet, pasqyrë e Republikës e pjesë e identitetit shtetëror.

“Prishtina ka më shumë prona e buxhet, për më shumë çerdhe, shkolla e parqe e sheshe; më shumë mjekë, mësues, administratë e inspektorë; më shumë ndërrmarrje e shërbime publike cilësore; më shumë hapësira për rini, kulturë e sport; më shumë tregje e prodhime vendore; më shumë përkrahje e mundësi për zhvillim rural e bujqësi. Ka plot mundësi e dinjitet si Kryeqytet”.

Ky është postimi i plotë në Facebook:

Një proces që ishte kërkesë kushtetuese, e që po zvarritej për 10 vite, tregon më së miri dallimin në mes të atyre që kanë dijen, guximin e përkushtimin dhe të tjerëve që Prishtinën e kishin diskutim elektoral e rast për t’u ankuar.

Bëjeni vetë dallimin kur qeveria sillej me Prishtinën si padron dhe tash kur ishim partner në zhvillim. Pas 20-vitesh degradim, Prishtina ka nisur të marrë frymë. Janë një sërë ligjesh e vendimesh që kanë hapur kapitull të ri për zhvillim.

Prishtina dhe komunat kanë pasur rastin ta shohin dallimin. Tashmë, ata dhe qytetarët janë pronar të vërtetë të pasurisë për ta mundësuar zhvillimin. 20 vite pas flasin për trajtimin e ndërtimeve e legalizim, në kohën kur ky proces ka marrë drejtim.

Prishtina tashmë me status të veçantë është njëmend kryeqytet, pasqyrë e Republikës e pjesë e identitetit shtetëror.

Këto janë ndryshime lehtë të krahasueshme e që bëjnë dallimin:

– Financim shtesë vetëm për tri vite, 35 milionë euro;

– Drejtoria e Policisë për Kryeqytetin;

– Spitali i përgjithshëm i Kryeqytetit;

– Ndërmarrjet Publike Komunale.

Marrëdhëniet mes Qeverisë Qendrore dhe Kryeqytetit:

– BERZH (Unaza e madhe e Prishtinës);

– Zgjerimi i rrjetit të ngrohjes;

– Kthimi i pronësisë në objektin e Gërmisë;

– Pallati i Rinisë dhe Sporteve;

– Pagesa e borxheve nga shpronësimet;

– Inicimi i procedurave për ndërtimin e Prishtinës së Re.

Pa llogaritur qindra projekte kapitale nga ministritë e linjës.

Prishtina ka më shumë prona e buxhet, për më shumë çerdhe, shkolla e parqe e sheshe; më shumë mjekë, mësues, administratë e inspektorë; më shumë ndërrmarrje e shërbime publike cilësore; më shumë hapësira për rini, kulturë e sport; më shumë tregje e prodhime vendore; më shumë përkrahje e mundësi për zhvillim rural e bujqësi. Ka plot mundësi e dinjitet si Kryeqytet.

Prishtina, e Kosova nuk kthehen mrapa në rrugën e stagnimit, tashmë është i qartë dallimi në mes inskenimit e nëpërkëmbjes dhe shtetë-ndërtimit.

100% Kosovë, ka kryeqytet me dinjitet.