Besnik Tahiri: Ta shtyjmë përpara Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike

Koordinatori për Reformën Nacionale në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri thotë se në mbledhjen e qeverisë është tërhequr Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike dhe sipas tij, ky vendim është marrë pas ndërhyrjeve që i janë bërë këtij projektligji në procesin e amandamentimit dhe pakënaqësive të shfaqura nga shoqëria civile për deformim të procesit.

“Projektligji i dërguar nga Qeveria për miratim ka qenë në përputhje me parimet dhe standardet e financimit të subjekteve politike si dhe ka marr për bazë rekomandimet e Komisionit të Venedikit. Duke qenë se tani jemi në pikën fillestare, është shumë me rendësi që tani konsultimi të jetë më i gjerë dhe procesi të kornizohet në kuadër të parimeve dhe standardeve evropiane”, thotë Tahiri.

Sipas tij, presioni publik i shoqërisë civile, mediave është instrument kyç i demokracisë.

“Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme përfshirja e tyre në procesin e hartimit të legjislacionit që ndihmojnë në demokratizimin e brendshëm të subjekteve politike, rritjen e llogaridhënies dhe transparencës si atribut i rëndësishëm për demokratizimin e vendit. Sa më i madh që është kontributi në demokratizimin e subjekteve politike, aq më të larta janë kredencialet demokratike të shtetit”, thekson Tahiri.

Ai tutje ka shkruar se Qeveria Haradinaj është e hapur për diskutim dhe konsultim përmbajtësor.

“Mos të lejojmë edhe njëherë kthimin prapa të këtij Ligji”, ka shkruar në fund ai. /Ballkani.info/