Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka përkujtuar 31 janarin – ditën e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha – duke theksuar se shtetësia e Kosovës nuk duhet të merret si e mirëqenë dhe as të trajtohet si eksperiment.
Në një postim në rrjetet sociale, Tahiri ka theksuar se rënia e tre heronjve në janar të vitit 1997 nuk ishte fundi, por një pikë kthese vendimtare drejt lirisë, duke u shndërruar në frymëzim për mijëra luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka vënë në pah se për brezin e ri, lufta e vitit 1999 nuk është përjetim personal, çka sipas tij bën që liria, pavarësia dhe shtetësia shpesh të merren si të mirëqena.
“Shtetësia nuk na u dhurua. Ajo u fitua përmes sakrificave të mëdha dhe humbjeve të thella, mbi guximin dhe flijimin e heronjve dhe dëshmorëve të kombit,” ka shkruar Tahiri.
Deputeti i AAK-së ka shtuar se falë lirisë dhe shtetësisë, Kosova ka arritur të ndërtojë shtet, institucione dhe mundësi më të barabarta për qytetarët, përfshirë qasjen në ekonominë e tregut dhe në mundësi globale.
“Nuk duhet ta harrojmë kurrë se asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa themelet e vendosura nga ata që dhanë jetën për atdheun. Prandaj, shtetësia nuk është diçka me të cilën duhet eksperimentuar, por duhet mbrojtur, forcuar dhe zhvilluar çdo ditë, me përgjegjësi dhe përkushtim,” ka përfunduar Tahiri.






