Besnik Tahiri: Nuk ka asnjë krizë apo lëkundje në koalicion, kemi plane afatgjate

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se nuk ka asnjë lëkundje në koalicionin qeverisës.

Përkundër se ka pasur kritika nga ana e AAK-së për mënyrën se si po zhvillohet dialogu me Serbinë. Tahiri thotë se koalicioni nuk ka pasur ndonjë krizë, dhe se kanë plane afatgjate.

“Nuk ka asnjë krizë dhe asnjë lëkundje në koalicion”, thotë ai.  

“Kur është ndërtuar është ndërtuar me qëllime afatgjata, pasi janë dy parti të djathta. Ajo cfarë po ndodhë është një situatë shumë normale. AAK nuk e ka përvojën më të mirë me procesin që e ka lehtësuar BE në kohën sa ka qenë Federika Mogherini. Atë kohë, çështja e territorit, nuk ka qenë temë që është kundërshtuar dhe është lënë pezull. Kjo ka qenë e pafalshme nga ana e BE’së”, shtoi Tahiri.