Koordinatori Nacional për Reformën Shtetërore, Besnik Tahiri i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosjes e cila sot në në 11-vjetorin e Kushtetutës së Kosovës akuzoi pushtetarët se e kanë shkelur aktin më të lartë juridik dhe asnjëherë nuk kanë dhënë përgjegjësi për këtë.

Tahiri thotë se në 11 vjetorin e Kushtetutës, është me rëndësi të konstatohet se, dokumenti historik dhe juridik, Kushtetuta jonë ka përmbushur qëllimin politik për të shërbyer si akti themelor pas shpalljes së pavarësisë.

“Tranformimi i mandatit të FSK në ushtri, është atributi kryesor Kushtetues dhe i Shtetësisë. Mbrojtja e shtetësisë është detyrë Kushtetuese, kjo bëhet me veprime konkrete dhe vendosmëri, këtë e bëri dje, sot dhe do ta bëjë nesër Kryeministri Haradinaj”, ka shkruar Tahiri.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar dhe pushtetarët kanë plane që të gjitha privilegjet që dalin nga pushteti publik t’i privatizojnë për vete. /Ballkani.info/