Besnik Tahiri: E ulët çka ka thënë Lutfi Haziri, AAK s’ia prishi zgjedhjet LDK-së

Besnik Tahiri, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se akuzat që vijnë nga LDK-ja se eksponentë të AAK-së po ua prishin zgjedhjet janë të turpshme.

Ai duke folur në RTK, një ditë pasi nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kishte thënë se eksponentë të AAK-së kane gjuajtur me karrige në tubimin e LDK-së në Mat, ka theksuar se subjekti i tij nuk vepron në atë mënyrë në raport me subjekte të tjera, kurse deklaratat e Hazirit i ka përshkruar si absurde.

“Është shumë e ulet ajo çfarë ka thënë zoti Haziri, s’ka asnjë kuptim kjo çfarë ka thënë ai. AAK-ja nuk i ka thënë askujt të bëje veprime të tilla dhe kushdo që e ka bërë atë veprim nuk është pjesë e AAK-së”, ka theksuar Tahiri. “Me folë që ne po organizohemi e po ju çojmë njerëz me ju prishë… Kjo është hajgare, kjo është send shumë i ulët. Marre është me folë ashtu. Kjo është e papranueshme, plotësisht”.

Tahiri ka thënë se qeverisja Haradinaj nuk krahasohet me Qeverinë Mustafa, sepse sipas tij, ai s’ka bërë gjë, dhe më i suksesshëm ka qenë si kryetar i Komunës së Prishtinës.

“Kritikat e ish-kryeministrit Isa Mustafa janë pa përmbajtje, sepse në qeverisjen e tij nuk është marrë asnjë vendim i madh. Mustafa më shumë ka bërë si kryetar i Prishtinës se sa si kryeministër. Ai mbahet mend për dy-tre sheshe të Prishtinës”, ka deklaruar Tahiri