Në një intervistë me Ballkani.info Besim Hoti, zëvendëskomandant i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, ka folur rreth sigurisë aktuale në qytetin e Mitrovicës dhe pjesën veriore, sfidat dhe vështirësitë nëpër të cilat po kalojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në atë pjesë.
Hoti, ndër të tjerash ka folur për të arriturat e Policisë së Kosovës, përkatësisht të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, me theks të veçantë luftimin e krimit dhe veprave të ndryshme penale, raporton Ballkani.info

Kurse, i pyetur për raportimet e mëhershme se policët e komunitetit serbë kanë refuzuar të mbajnë flamurin e Kosovës në unifromat e tyre dhe si qëndron situata tani, Hoti për Ballkani.info është shprehur i indinjuar me atë se çfarë është raportuar në këtë drejtim, pasi sipas tij një gjë e tillë asnjëherë s’ka ndodhur.

“Që në momentin që është raportuar për një gjë të tillë, ne e kemi demantuar fuqishëm, pasi ky ka qenë një spekulim qëllimkeq prej një agjencioni të cilit nuk dua t’ia përmend emrin se nuk është me rëndësi. Por, një gjë e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur, për faktin që në kohën kur, Policia e Kosovës, ka marrë vendim që të ndërrojë unifromën nga ish-uniforma e vjetër dhe vendosjen e flamurit të Republikës së Kosovës, mund të themi me përgjegjësi se është pikërisht Drejtoria Rajonale e Policisë së Mitrovicë Veri, që ndër të parët në regjionet që është reformuar në uniformë pikërisht në këtë të re”, ka thënë Hoti.

Hoti tutje tregon që Drejtoria Rajonale e Policisë së Mitrovicës Veri, ka qenë e menjëhershme në demanitm dhe se thotë që sot uniforma e Policisë së Kosovës është prezente në çdo cep të Kosovës.

“Asnjëherë nuk është refuzuar, d.m.th., në ditën kur është raportuar lajmi që ne kemi refuzuar këtë, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë së Mitrovicës Veri është demantuar si rast, sepse vërtetë asnjëherë nuk ka ndodhur. Ju sot shihni pjesëtarë të Policisë së Kosovës me uniformën të cilën do ta shihni në çdo cep të Kosovës”, ka përfudnuar Hoti. /Ballkani.info/