Besim Hoti flet për të gjitha vështirësitë dhe të arriturat e Policisë së Kosovës në veri (VIDEO)

Në një intervistë me Ballkani.info Besim Hoti, zëvendëskomandant i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, ka folur rreth sigurisë aktuale në qytetin e Mitrovicës dhe pjesën veriore, sfidat dhe vështirësitë nëpër të cilat po kalojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në atë pjesë.

Hoti, ndër të tjerash ka folur për të arriturat e Policisë së Kosovës, përkatësisht të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, me theks të veçantë luftimin e krimit dhe veprave të ndryshme penale.

Gjithashtu, Hoti ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e ofruar nga ana e qytetarëve të cilët po kontribuojnë në raportimin e problemeve, gjë e cila po ndikon në identifikimin dhe parandalimin e situatave të cilat mund të paraqesin pasiguri tek banorët rezidentë në atë pjesë ose edhe të qytetarëve të cilët e frekuentojnë atë pjesë.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: Ju lutem na tregoni një historik të shkurtër rreth krijimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës?

Besim Hoti: Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri, është themeluar ose më mirë me thënë pas një vendimi që është arritur në nivelin politik në Bruksel, për ndarjen e ish drejtorisë unike në atë kohë të Mitrovicës, në Drejtorinë Rajonale në Jug, dhe në atë Veri.
Kjo, ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2013 dhe që nga ajo kohë Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri, në vazhdimësi ka ngritur kapacitetet e saja në mënyrë të luftimit të çfarëdo forme të krimit dhe parandalimit të të gjitha formave ose natyrave të krimit të cilat ndër vite janë paraqitur dhe vazhdojnë të paraqiten në këtë pjesë të Kosovës. Sidoqoftë, në këtë periudhë kohore kemi kaluar edhe nëpër në sisteme tjera të integrimit të, e mbani mend të ish pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët janë inkuadruar në kuadër të Policisë së Kosovës dhe kjo ka ndodhur vite më pas, të cilët janë shkrirë në kuadër të insitucioneve të Policisë së Kosovës, dhe kanë kaluar nëpër trajnime të duhura. Këto trajnime në vazhdimësi janë udhëhequr nga departamenti i trajnimeve në nivel qendror nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe normalisht që tanimë e kemi një strukturë kompakte të Policisë së Kosovës në katër stacione policore të katër komunave veriore të Kosovës dhe përfshirë Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës Veri. Gjithsesi, ai rrugëtim kohor deri në ditët e sotme nuk ka qenë i lehtë përfshirë edhe mungesën në atë kohë të institucioneve përkrahëse, të cilat policisë i kanë shërbyer edhe si formë me e quajtur logjistike të kryerjes së detyrave të saja përfshirë pushtetin lokal dhe institucionet tjera të drejtësisë, prokurorinë edhe gjykatat të cilat vitet më vonë janë integruar në kuadër të sistemit të Kosovës. Kështu që dita-ditës janë bërë hapa, zhvillime për ngritjen e kapaciteteve dhe sot jemi këtu ku jemi.

Ballkani.info: Krahas angazhimeve që përmendët, cili është pozicionin juaj në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Mitrovicës Veri?

Besim Hoti: Që nga themelimi apo krijimi i kësaj drejtorie, unë me vendim të Drejtorisë ose drejtorit gjeneral të Policisë së Kosovës, në atë kohë jam caktuar si zëvendës drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, dhe nën komandën e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës Veri, përfshihen njësitë tjera dhe katër stacionet policore të katër komunave veriore: Mitrovicë Veri, Zveqan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Ballkani.info: Cila është situata aktuale e sigurisë në qytetin e Mitrovicës?

Besim Hoti: Mund të themi që kemi një situatë të qetë sa i pëket ngjarjeve madhore të cilat në çfarëdo forme do të kishin me rrezikuar ose me cenuar sigurinë e përgjithshme. Mirëpo, kjo çështja e shprehjes së sigurisë nuk është çështje vetëm verbale sepse ajo në vete bartë edhe çështje të ndjenjave dhe të emocioneve të vet qytetarëve. Dhe, kur flasim në koncept më të gjërë kemi të bëjmë me ndjenjat e vet qytetarëve sesi ata e ndejnjë çështjen e sigurisë në vendin ku jetojnë. Dhe, normalisht ne kemi bërë përpjekjet maksimale që me veprimet tona të kthejmë ose më mirë të them për një pjesë të qytetarëve të rikthejmë atë ndjenjë të sigurisë dhe besoj që ndër vite kemi arritur që këtë ndjenjë të sigurisë ta kthejmë tek qytetarët, qoftë rezidentë banorë të Mitrovicës Veri, qoftë për të tjerët të cilët kalojnë ose vijnë për nevoja ditore të punëve të tyre. Dhe, kjo siguria duke e marrë parasysh që proceset kanë kaluar nëpër forma të ndryshme të integrimit dhe ri-integrimit të institucioneve të ndryshme gjatë këtyre periudhave, ato me vete nuk mund të sjellin definicion statik të çështjes së sigurisë. Prandaj, kjo çështja e sigurisë është mjaftë fleksibile dhe ndikohet mjaft varësisht prej zhvillimeve politike në vend ose në rajon.

Ballkani.info: Përderisa po flasim për sigurinë, si qëndrojnë mardhëniet në mes të komuniteteve ?

Besim Hoti: Edhe çështjet e mardhënieve ndër komuniteteve, nëse kthehemi vite më parë, mund të marrim një periudhë krahasuese në mes viteve dhe sjelljeve ose të marëdhënieve të qytetarëve, atëherë shohim përparime të dukshme. Shohim përparime të dukshme për faktin se tani kemi lëvizje të lirë nga të dy anët e qytetit, d.m.th., n’përditshmërinë e qytetarëve nga Veriu në drejtim të Jugut të Mitrovicës dhe anasjelltas dhe për këto zhvillime gjithsesi kanë ndikuar shumë zhvillime të tjera të cilat kanë ndodhur në proces në integrimin e institucioneve dhe hapja e mundësive që qytetarët të kenë çasje te këto institucione, ka mundësuar praktikisht ka krijuar klimë të tillë që qytetarët të lëvizin më lirshëm dhe të kryejnë detyrat e tyre në aspektin e përgjithshëm pastaj edhe mundësimi i zhvillimit ekonomik të vet qarkullimit ekonomik të qytetarëve në zonat e banuara dhe kryesisht të banuar me popullësi të përzier, kanë ndikuar që këto marëdhënie të ndërtohen në mënyrën më të shëndetshme. Kur them në mënyrë më të shëndëtshme, i referohem kohës së tanishme edhe atë të mëhershme për faktin që nuk kemi incidente të karakterit të urrejtjes ndër etnike, nuk themi që skemi fare mirëpo në krahasim me vitet e mëhershme ato janë reduktuar dukshëm d.m.th., janë minimizuar dukshëm falë edhe vet angazhimit të qytetarëve dhe raportimit të rasteve të tilla.

Ballkani.info: Si është trendi i krimeve në raport me vitet e kaluara (referuar statistikave)?

Besim Hoti: Që nga themelimi i kësaj drejorie në vazhdimësi kemi pasur një rënie të veprave penale të regjistruara në katër komunat më veriore, përkatësisht në katër stacionet policore duke e përfshirë edhe Drejtorinë Rajonale. Kur themi njëkohësisht rënie, flasim në anën tjetër për ngritje të zbulimit të këtyre veprave penale gjë që bën çështjen pro-aktive të hetuesve policor dhe punës së policëve të fokusuar në drejtim të sektorëve dhe drejtuar policisë në bashkësi. Domethënë trendi i krimeve është, janë vepra penale të cilat më tepër ose shumicën dërmuese të veprave penale bëjnë vepra penale kundër pasurisë dhe sigurisht një përgjigje e përgjithshme lidhur me këto është pikërisht gjendja ekonomike ose statusi ekonomik i atyre kryerësve të veprave penale. Normalisht, veç këtyre veprave penale të cilat gjithsesi kanë seriozitetin e vet sepse qytetarët humbin pasurinë e tyre dhe kjo është mjaft serioze për ta. Ka ndodhur edhe raste të cilat vërtetë kanë pas një seriozitet shumë të lartë dhe ndikim të karakterit ndoshta dhe vet politik dhe mundësisë së destabilizimit të sigurisë së përgjithshme. Mirëpo, gjitha këto raste janë menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ballkani.info: Cilat janë vështirësitë në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Mitrovicës?

Besim Hoti: Po sigurisht, kur flasim për vështirësi janë kryesisht në radhë të parë mungesa e infrastrukturës, mendoj janë mungesa e objekteve të cilat do të ishin pjesë ose pronë e policisë së Kosovës, me ç’rast zyrtarët policorë do t’i kryenin detyrat e tyre me një komoditet më të mirë. Pastaj, mungesa dhe shtrirja edhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës në këtë pjesë. Sfidë tjetër ose vështirësi tjetër është edhe vet niveli politik i ngjarjeve politike të cilat ndodhin herë pas here ose më mirë me thënë në vazhdimësi në këtë pjesë, dhe që lidhen kryesisht me ata të cilët udheheqin pushtetin lokal. Sigurisht edhe pjesa tjetër e ngritjes profesionale ndër vite, d.m.th., ndërrimi i gjeneratave pastaj mosha e zyrtarëve e cila është e arritur, normalisht që kjo në vete paraqet një obrellë ose një tërësi të problemeve e sfidave me të cilat përballet Policia e Kosovës.

Ballkani.info: Para pak ditësh Ballkani.info ka raportuar për një skenar të Serbisë në veri ku thuhet se policët dhe drejtuesit serbë të Policisë së Kosovës në këtë pjesë do ta fillojnë largimin, një lloj shpërbërje. A keni informacione për një skenar të tillë?

Besim Hoti: Pyetja tani vet është e karakterit predikues sepse po flasim për një ngjarje e cila nuk ka ndodhur ende dhe nuk shihet në sipërfaqe se mund të ndodhë. Kryesisht veprimet vijnë nga qarqet tjera dhe ndoshta edhe për qëllime të vet krijimit të një konfizioni, një amullie të formës së të menduarit edhe të qytetarit edhe të vet pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Kemi pas situate ndër vite në të kaluarën kur janë shfaqur skenare të tilla që fatmirësisht janë tejkaluar të gjitha ato dhe sot jemi aty ku jemi. Pa dashur të prejudikojmë se çfarë do të ndodhë në fushën politike gjithsesi flasim për qytetarët, mirremi me informacione të cilat i referohen një kohe të së ardhmës, d.m.th., një kohë që çdo gjë është e panjohur dhe situatat e tilla të panjohura me veti sjellin edhe një pasiguri në formën e të menduarit por edhe në formën e sjelljes së tyre. Prandaj, të gjitha këto paragjykime të mundshme ndikojnë mund të them lirshëm edhe në vet motivimin e kryerjes së detyrave, në radhë të parë të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, andaj mundohemi të gjejmë mënyra të mundshme që të thyejmë këto barriera dhe t’i kryejmë vetëm detyrat tona ashtu siç janë të parashikuara.

Përveç këtyre në vazhdim të intervistës Hoti, ka folur edhe për:

-Zbatimin e urdhërave nga institucionet vendore: qeverisë dhe agjencioneve të caktuara për asistim, për AKP dhe AKKVP (ish-Habitati)
-Numrin e personelit
-Përbërja etnike e personelit
-A është e plotësuar me të gjitha njësitë DRPM, sikurse drejtoritë tjera, përfshirë edhe njësitë e centralizuara për luftimin e krimit?
-Shtrirja territoriale, stacionet dhe nënstacionet në kompetencën territoriale
-Bashkëpunimi i Drejtorisë Rajonale të Policisë Jugu, bashkëpunimi me gjykata dhe prokurorin e shtetit, një krahasim të situatës me vitet e kaluara në aspektin e sigurisë?
-Raportet ndër-njerëzore në mes policëve të komuniteteve të ndryshme?
-Drejtoria Rajonale e Policisë së Mitrovicës Veriore është njëra nga 8 drejtoritë e Policisë së Kosovës, forma e komunikimit e raportimit dhe kontrollit në nivel lokal edhe në nivel qendror
-Kujt i raporton në nivel qendror dhe prej kujt i merr urdhërat nga niveli qendror?

https://www.youtube.com/watch?v=q7d13S0U2iM&fbclid=IwAR1A5DdsWf6ZJrXEODhnko9Q6Bxeocawr2sJeOTk6jctHoPGRiQMjfzjw-0