Besian Mustafa pasi ju miratua kandidatura për kryetar: Kandidova për ta thyer heshtjen, refuzoj të kalkuloj

Besian Mustafa kandidat për kryetar të LDK-së, pasi i është miratuar kandidatura nga Kuvendi ka treguar arsyen pse i ka hyrë garës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka kandiduar për ta thyer heshtjen dhe se refuzon të kalkuloj.

“Sot, neve na duhet një LDK që prinë, jo që përcjellë. Një LDK që vendosë, jo që heziton”, ka shkruar Mustafa në Facebook, shkruan Reporteri.net.

Postimi i tij i plotë:

Zgjedhjet e fundit na ndanë e na përgjysmuan. Na e hodhën poshtë çdo kalkulim. E di që po të kalkuloja do ta kisha më të lehtë, do të isha më rehat. Edhe ky fjalim sot, po të mos ishte kaq i sinqertë, do ta kisha më lehtë. Por, kalkulimi doli të jetë metodë e gabuar dhe unë refuzoj të kalkuloj e të jem pjesë e kalkulimeve. Andaj, shkrova një letër të hapur ku kërkova të thyhet heshtja. Prandaj, edhe sot, kandidova për ta thyer heshtjen.

Ne në LDK heshtim. Heshtëm kur rrëzuam një qeveri antiperëndimore. Nuk u ballafaquam por u strukëm dhe kalkuluam. Por, kjo nuk ishte heshtja jonë as e parë e as e fundit. Ne heshtëm qe 15 vjet për mungesë të hapjes së partisë. E trajtuam partinë tonë, LDK-në, që dikur ishte lëvizja më e madhe popullore mbarshqiptare, si punë të përkohshme, zyrat e së cilës hapeshin vetëm gjatë zgjedhjeve. Nuk u reformuam. Edhe ato pak reforma që bëmë, ishin të zbehta, të kontrolluara. Ishin me kalkulime.

Më vjen keq ku kemi arritur sot, por dua t’u shoh secilin në sy dhe të më tregoni, a ishte LDK-ja e Ibrës e heshtur? A ishte Xhema njeri që ka kalkuluar e ka heshtur? Sikur të ishin të tillë, pra të heshtur e kalkulantë, do të ishin në majat e ish sistemit, e jo në majat e lëvizjes që rrënoi Jugosllavinë.

Sot, neve na duhet një LDK që prinë, jo që përcjellë. Një LDK që vendosë, jo që heziton.
Një LDK që afron, jo që largon.

Një LDK që ofron solidaritet e bashkim, jo që shanë e ndanë.

Një LDK që flet e ndërton, jo që hesht e stagnon.

LDK është e djathta, është lëvizja e vërtetë e trurit të kësaj shoqërie, është shtëpia që duhet t’i kthehet Kosovës, t’i kthehet qytetarit sepse vendit i duhet LDK- ja, sepse Kosovës i duhet lëvizje euroatlantike. Kosovës i duhet LDK-ja që i rikthen dhe rindërton lidhjet tona, të shkatërruara qëllimisht, me mërgatën tonë në Nju Jork, Gjermani, Zvicër, e gjetiu. LDK e vërtetë është katalizatori i integrimit, garanca e zhvillimit, ndërtuesja e mirëqenies.

Unë, jam Besiani. Biologjikisht, i Xhemës. Politikisht, veç i LDK-së. Rrënjësisht, i themeleve të 1989-ës.

Vetëvendosje na i morri mbi 100 mijë vota. Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. Kur unë shpalla kandidaturën, dolën forca jashtë LDK-së që më sulmuan, më shanë, më ofenduan, më linçuan sepse kandidatura ime po i marrka dikujt ndonjë votë. Sikur kandidatura e Besianit në LDK qenka krim! Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. U çuan njerëz që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në kinse ta mbrojnë LDK-në nga Besiani. Sepse Besiani po ua marrka LDK-në atyre që shanë e linçuan me dekada LDK-në, atyre që kurrë nuk ishin në LDK. Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. Heshtje dhe vetëm heshtje në LDK. Prandaj, kam kandiduar. T’ju detyroj ta thyeni heshtjen.

Thonë se është më mirë të jetosh një ditë si luan sesa 1000 vjet si lepur frikacak. Dikur, ne në LDK jetonim si luanë sepse fjalën e mirë dhe të keqe ia thoshim njëri- tjetrit në sy. Ndërsa sot, fjalën e mirë s’ia themi njëri- tjetrit hiq, e fjalën e keqe e themi pas sysh, pas shpine, nën tavolinë, nën tokë. Plot frikë.

Delegatët sot ftohen të votojnë në kuti, pra me votë të fshehtë, edhe kryetarin, edhe Këshillin e Përgjithshëm, edhe Kryesinë, sipas vlerësimit individual. Jo me inate. Jo me kalkulime. Në të kundërtën, do ta harrojmë edhe 12 përqindëshin. Të votohet për atë që pas 30 vjetëve do u tregohet nipave e mbesave, me kokën lartë, se këta delegatë ishin aty kur u zgjodh kryetari i cili, pa kalkulime e pa matematika, e riktheu LDK-në në lavdin e saj të mëparshëm. Kryetarin të cilit sot, pas këtij Kuvendi, i rreshtohemi të gjithë, duke filluar nga unë dhe secili kandidat, ushtarë të kauzës sonë të përbashkët. Kryetarin që reformon strukturat e LDK-së, me bashkëpunim e bashkërendim, jo me inat e hakmarrje, duke i përgatitur ato për zgjedhjet e brendshme në 2023.

Nuk mund të lejojmë që sot, si shumë herave tjera, të dalim nga ky Kuvend me kokë të ulur, mendje të mjegulluar e zemër të rënduar.

Zoti e bekoftë këtë ditë!

Rikthimi tek vlerat themeltare te vitit 1989

Vendosin 328 delegatet qe jane ne salle

Kemi mundesi te barabarta, po shkojne me zgjedhje te fshehta