Besian Mustafa: Me LDK-në jam rritë. Nuk kam shpi tjetër, që nga 1989

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka thënë se shtetësia e Kosovës dhe LDK-ja janë të pashkëputshme, një simbiozë historike, rrumbullakimi i së cilës po afron.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Projekti i LDK-së për shtetndërtimin e Kosovës së pavarur, i nisur më 1989, kur pakkush e besonte se mund të bëhej, vazhdon në 2020, plot 30 vjet pas themelimit të LDK-së”.

“Asnjë anëtar i LDK-së, as unë, asnjëri nga ne, për asnjë çmim, nuk tregtojmë me besimin e qytetarëve që e përkrahën projektin e LDK-së që nga dhjetori i 1989-tës. Rrumbullakimi i këtij projekti po afron, me LDK-në në krye, si gjithnjë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Mustafës:

“Me LDK-në jam rritë. Nuk kam shpi tjetër, që nga 1989.

Projekti i LDK-së për shtetndërtimin e Kosovës së pavarur, i nisur më 1989, kur pakkush e besonte se mund të bëhej, vazhdon në 2020, plot 30 vjet pas themelimit të LDK-së. Shtetësia e Kosovës dhe LDK-ja janë të pashkëputshme, një simbiozë historike, rrumbullakimi i së cilës po afron.

Secili anëtar i LDK-së, mbartim me vete kulturën politike të afrimit të njerëzve, partive dhe ideve, të bashkimit e jo të shpërndarjes, sepse siç thoshte ati themeltar i Kosovës, Presidenti Rugova “ne s’kemi njerëz për të humbur”. Si anëtar i Kryesisë së LDK-së, kryetar i Degës IV në Prishtinë, deputeti i gjashtë më i votuar dhe, me besimin e po kësaj Kryesie ministër nga radhët e LDK-së, e them me përgjegjësi të plotë politike dhe njerëzore se LDK gjithnjë ka trajtuar të gjithë partnerët qeverisës me respekt dhe dinjitet. Shpeshherë ne LDK kemi “përbirë gurët e nxehtë” të shumë linçimeve, ofendimeve, tradhtive e mizorive, disa prej nesh edhe të vrasjeve, vetëm për shtyrë projektin tonë, të shetformimit të Kosovës së pavarur, përpara edhe një hap; edhe një hap; edhe një hap.

Asnjë anëtar i LDK-së, as unë, asnjëri nga ne, për asnjë çmim, nuk tregtojmë me besimin e qytetarëve që e përkrahën projektin e LDK-së që nga dhjetori i 1989-tës. Rrumbullakimi i këtij projekti po afron, me LDK-në në krye, si gjithnjë.