Futboll

Besa shton “koloninë” kosovare në ekip, afron dy futbollistë dhe zbuluesin e talenteve “dardanë”

Besa dhe presidenti i saj Nexhat Bizhdili kanë vendosur që t’i kthehet traditës duke shtuar numrin e futbollistëve kosovarë në ekip.

Kavajasit janë të prirur për të ndryshuar në këtë merito, në mënyrë që të shmangin rreziqet. “Panorama Sport” në mënyrë ekskluzive ka arritur të zbulojë përforcimet më të fundit të besës, ku bëhet fjalë pr dy futbollistë me moshë të re dhe të perspektivës, si dhe një trajner nga Kosova.

Pikërisht bëhet fjalë pr sulmuesin 19 vjeçar Erzeni Hyseni, që vjen nga radhët e skuadrës së Gjilanit, si dhe mesfushorin 20-vjeçar Olti Zeqiraj, i cili vjen nga radhët e kroatëve të Goricës. Ndërsa Fidaim Haxhiu vjen si pjesë e stafit teknik, ku do të kryej rolin e ndihmësit të Lorenc Pashjes.

Duhet theksuar se Fidaim Haxhiu nuk është i panjohur për drejtuesit e Besës, pasi nga duart e tij kanë kaluar gjithë talentet kosovare që në të shkuarën kanë luajtur në Kavajë, si Leci, Berisha, Muriqi, Babaj, Jashanica, Fejzullahu etj.

Me ardhjen e dy futbollistëve kosovarë dhe të zv.trajnerit Haxhiu, shkon në pesë numri i “kolonisë” kosovare te besa, pasi aty ndodhen edhe  Donat Mehmeti, Harbun Reçiça dhe Albion Shurdhiqi.