Bërnabiqi preket nga kritika e Von Cramon kundër Vuçiqit: Punëso një konsulent humori

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka shfaqur në pah rolin mbrojtës për shefin e saj, Aleksandër Vuçiq. Ajo ka reaguar ndaj raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

Cramon kishte publikuar dy fotografi të Vuçiqit, një të të kaluarës kur ai takohej me kancelaren e mëhershme gjermane, Angela Merkel dhe tani me Turko Daudov, këshilltar i liderit çecen Ramzan Kadyrov. Vuçiq nga Duadov e ka pranuar një burkë dhe kapele kombëtare çecene, duke u fotografuar me të.

”Kështu po përparon“, ka shkruar Viola von Cramon në Twitter.

Në të njëjtin rrjet social mori një replikë nga Bërnabiq, duke e propozuar raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën ta emërojë një konsulent humori.

“Për shkak të një zone tjetër kohore (Singapori), sapo pashë këtë përpjekje të dobët për humor. Si raportuese e BE-së, Violës nuk i intereson që Prishtina të injorojë Marrëveshjen e Brukselit (10 vjet), përkundrazi ajo vazhdon me këmbëngulje të flasë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe e fajëson atë për gjërat që bëjnë liderët e BE-së. Hipokrizi”, ka shkruar Bërnabiq.