Deputeti i Partisë Demokratike të Serbisë, Sërgjan Milivojeviq, e ka vlerësuar si të paturpshme deklaratën e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq se “duket” se Oliver Ivanoviq nuk është vrarë nga serbët.
“Kjo është një tjetër në serinë e deklaratave të paturpshme të Ana Brnabiq. Kjo është një grua që padyshim nuk ka pika kontakti me normat elementare morale, sepse nëse ajo tashmë nxjerr përfundimet e saj bazuar në atë që po i ndodh, ajo duhet të pyes veten nëse nuk i duket shumë e dyshimtë që dikush tjetër mund të bëjë një video e turpshme, e cila është frymëzuar nga vrasësit e Oliver Ivanoviqit, e solli në TV Pink dhe e koordinoi transmetimin e saj me adresën e Marko Gjuriqit dhe Goran Rakiqit nga Lista Serbe”, tha Milivojeviq për agjencinë Beta, transmeton Ballkani.info.
Sipas tij, Ana Brnabiq nuk është emëruar kryeministre për t’i bërë diçka apo për t’i ngarkuar qytetarët e Serbisë me mirazhet, fantazitë dhe iluzionet e saj.
“Kryeministrja është e detyruar të përgjigjet se çfarë bëri Qeveria e Serbisë për të gjetur porositësin e spotit televiziv për Oliver Ivanoviqin që u transmetua në TV Pink dhe TV Most. Nëse ata do të merrnin një përgjigje për pyetjet se kush e bëri dhe financoi atë video, ndoshta do të merrnin një pamje më të qartë se kush e urdhëroi dhe kush e kreu vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, theksoi Milivojeviq.
Kryeministrja Brnabiq tha sot se shteti nuk ka informacione të reja për vrasësin e liderit të Iniciativës Qytetare të SDP-së, Oliver Ivanoviq, por asaj i duket se nuk është bërë nga persona të kombësisë serbe, sepse në të kundërtën do të kishin qenë të ndaluar deri tani.
“Nëse dikush, i cili është i nacionalitetit serb apo nga territori i Serbisë qendrore, do të ishte i përfshirë në atë krim dhe nëse do të kishte ndonjë provë për këtë, ai do të ishte arrestuar disa herë deri tani. Fakti që autori ende nuk është gjetur tregon se nuk bëhet fjalë për persona të kombësisë serbe. Prishtina mezi priste t’i arrestonte, t’i akuzonte dhe t’i dënonte se ishin të kombësisë serbe. Dikush tjetër qëndron pas saj. E kush, ndoshta fakti që nuk kemi as emra, as informacion, asnjë provë e thotë më së miri”, tha Brnabiq në Shtëpinë e Gardës në Topçider.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2017 në Mitrovicë.
Në Prishtinë po vazhdon gjykimi i një grupi serbësh të akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e Ivanoviqit.
Hetimi i nisur në Prokurorinë për krim të organizuar në Beograd, deri më tani nuk ka dhënë asnjë rezultat se kush e urdhëroi, organizoi dhe kreu vrasjen e Oliver Ivanoviqit. /Ballkani.info/







