Bërnabiq e butë para ambadasorëve të QUINT-it: Jemi të përkushtuar për dialog me Kosovën

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka biseduar në Beograd me ambasadorët e QUINT-it pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë, për reformat, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave dhe “përkushtimin” e Serbisë për dialog me Kosovën.

Sipas kumtesës së qeverisë serb, kryeministrja serbe ka pretenduar se Serbia “do të mbetet e përkushtuar për vazhdimin e reformave dhe për bashkëpunimin rajonal”, si dhe për “dialogun me Kosovën”. Ajo, si zakonisht, edhe kësaj here i ka përsëritur frazat e shefit të tij, “se konflikti i ngrirë nuk është zgjidhje dhe se për formimin e Asociacionit është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit”.

“Përkundër të gjitha sfidave, ne vazhdojmë të udhëheqim një politikë “të përgjegjshme” që ruan stabilitetin, paqen dhe interesat kombëtare të vendit tonë, dhe çështja e mbrojtjes së pakushtëzuar dhe garantimit të sigurisë së pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë është po aq e rëndësishme për Serbinë”, ka pretenduar ajo.

Kryeministrja serbe ka thënë se Serbia i “kushton shumë rëndësi promovimit të tolerancës dhe mos diskriminimit, çështjeve të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve”.

Sipas saj, “Serbia e vlerëson dhe e mbështet punën e misionit të OSBE-së në vendin me të cilin ka bashkëpunim të partneritetit të bazuar në mirëkuptim të ndërsjellë dhe shprehu pritjen e saj për vazhdimin e marrëdhënieve të tilla”.

Ambasadorët e KUINT-it kanë thënë se Ballkani Perëndimor është një rajon jashtëzakonisht i rëndësishëm për OSBE-në, si dhe për qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA dhe e kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të arritjes së progresit konkret në dialogun me Kosovën me mbështetjen e BE-së dhe mbështetjen e të pesë vendeve.

Gjatë ditës, ambasadorët kanë biseduar edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq.