Ish-kryeministri

Berisha uron 17 Shkurtin: Një nga ditët më të mëdha në historinë e kombit

Pavarësia e Kosovës ishte tema kryesore e fjalimit të radhës së Sali Berishës nga ballkoni i shtëpisë së tij, ku qëndron me masë arresti nga 30 dhjetori.

Ish-kryeministri ka thënë se 17 shkurti është një nga ditët më të mëdha në historinë e kombit.

“Është dita e cila bëri të lirë pas shekuj e shekujsh kombin shqiptar. Ne jemi komb me dy ditëlindje lirie. Ne jemi komb me dy data pavarësie. 28 nëntori i 1912-ës, pavarësia e Shqipërisë, pa të cilën nuk do kishte shtet shqiptar, nuk do kishte Kosovë të pavarur”.

“Përveç kësaj, ne kemi 17 shkurtin e vitit 2008, ditëlindjen tjetër të lirisë kombëtare, pavarësinë e Kosovës, pa të cilën shqiptarët nuk do të ishin një komb i lirë, nuk do gëzonin liri kombëtare”, është shprehur Berisha.

Ai më tej ka thënë se “sot le të shprehim ne krenarinë e madhe, mirënjohjen e pakufishme ndaj arkitektit të pavarësisë së Kosovës, burrit mendjendritur të kombit, Gandit të Ballkanit dhe Evropës, presidentit Ibrahim Rugova”.

Po ashtu, ka përmendur komandantin legjendar, Adem Jashari dhe luftëtarët e tjerë të lirisë “që me guximin epik, bënë luftën më të ndritur në historinë e shqiptarëve për liri dhe dinjitet nga kohërat e Skënderbeut”.

“Mirënjohje të pakufishme Aleancës së Atlantikut të Veriut, partnerëve tanë, presidentit Bill Clindon dhe Xhorxh Bush, për rolin e tyre përcaktues në pavarësinë e Kosovës. Por miqtë e mi, një ndjenjë krenarie ka sot çdo demokrat, sepse kjo parti u themelua në dhjetor të vitit 1990, si parti që shpalli yll polar, çështjen kombëtare”, ka shtuar Berisha. 

BONUS VIDEO| Qytetarët urojnë ditën e Pavarësisë së Kosovës, shpresojnë për ditë më të mira