Sali Berisha

Berisha-Ramës: Në Milano shkove si shpopulluesi më i madh

Sali Berisha, në fjalimin e tij të përditshëm nga banesa e tij, komentoi sërish takimin e kryeministrit Edi Rama në Milano dhe përgëzoi personat që protestuan për votën e diasporës në këtë takim.

“Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë, të përulem me nderimin më të madh, para heronjve të emigracionit dhe opozitës shqiptare që çanë rrethimin dhe ja numëruan në surrat gjithçka meritonte kreut të narkoshtetit shqiptar. Guximi i tyre, trimëria e tyre, misioni i tyre janë dhe do të mbeten frymëzues për çdo shqiptar. Me këtë rast garantoj emigracionin dhe diasporën e Shqipërisë, se e drejta e votës në vendin nga i cili janë larguar do të sanksionojë njëherë e përgjithmonë dhe se zgjedhje të tjera, pa votën e tyre nuk ka dhe nuk mund të ketë. Garantoj emigracionin dhe diasporën se rikthimi i butë i tyre në Shqipëri, lehtësitë e mëdha në investime në këtë vend, në veçanti për shqiptarët që kthehen nga emigracioni do të jenë kuadri urgjent ligjor, pas fitores së zgjedhjeve të ardhshme. Me protestën tuaj të sotme ju i shpëtuat nderin kombit shqiptar”, tha Berisha.

Më tej, Berisha theksoi se “Edi Rama në Itali shkoi si përfaqësuesi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë”.

“Ai ishte sot në Itali, si padrinoja i Arben Ndokës, Xhelal Rrajës, Pëllumb Gjokës, Behar Bajrit, i Durim Bamit, Emiliano Shullazit e Avdylve, Troplinve dhe Gentian Xhixhës, e Luftim Hysës së sinaloas në Meksikë. Ai ishte sot në Milano si turisti i Arubës, si pasagjeri që në dy vite ka kryer me avion e tij 141 udhëtime dhe që ka transportuar qindra e qindra baule diplomatike, brendia e të cilave shumë shpejt se do të dalë. Edi Rama në Itali shkove si hajduti më i madh i popullit tënd, që ka shkelur ndonjëherë atë tokë. Në Milano shkove si armiku më i egër i kombit tënd, shkove si mashtruesi me ordiner që ka shkelur në gadishullin e Apenineve, shkove si delinkuent i arrestuar në aeroportet e atij vendi dhe të vendeve të tjera. Edi Rama, në Itali shkove si Pashiqi i shqiptarëve, si Çubrilloviçi shqipfolës që sipas Eurostarit dhe jo sipas opozitës o mashtrues ordiner, në 10 vjet ke larguar nga Shqipëria 1.1 milion shqiptare dhe po sipas Eurostatit, ke renditur Shqipërinë të dytën në bote pas Sirisë për largimin prej saj të të rinjve nën 18 vjeç. Eurostati o mashtrues është institucioni zyrtar i BE-së për statistikat. Nuk është i opozitës dhe as i qeverisë. Shpopullimi i Shqipërisë është akti më makabër, akt që tejkalon barbaritë e çdo pushtuesi në shekuj e mijëvjeçar. Shpopullimi është krimi yt madhor i njerëzimit kundër shqiptarëve. Kurrë shqiptarët dhe as historia nuk do ta fal”, deklaroi Berisha, shkruan A2Cnn.