Berisha: Komuniteti rom nuk votoi për presidentin, po orkestrohet nga Lista Serbe

Kryetari i partisë egjiptiane (PLE), Veton Berisha, ka akuzuar partinë rome që po orkestrohet nga Lista Serbe.

Dy deputetë të pakicave jo-serbe, Adem Hoxha nga komuniteti goran dhe Fadil Gashi nga komuniteti rom nuk kanë votuar në seancën e Kuvendit të thirrur dje për zgjedhjen e presidentit.

Berisha ka thënë se mungesa e deputetit rom dje në Kuvend, ka konfirmuar pretendimin e tij se kjo iniciativë ka qenë produkt i listës serbe.

“Mungesa e deputetit rom, e ka konfirmuar pretendimin tim se ajo iniciativë ka qenë produkt i listës serbe. Unë kam thënë se kjo iniciativë është formuar që lista serbe ta ketë në kontroll në momentin që i duhet. Institucionet tona mbajnë përgjegjësi për këtë pasi për komunitetin romë ashkali e egjiptian e kanë marrë një vendim të pjesshëm dhe na kanë dëmtuar neve”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se javën e ardhshme do të dorëzojnë ankesën e tyre në Gjykatë Kushtetuese dhe se pret që të ju kthehet një mandate atyre.

Ai ka thënë se komuniteti egjiptian asnjëherë nuk i ka dëmtuar proceset në Kosovë, dhe se sipas tij, përgjegjësinë për dëmtimin e procesit për zgjedhjen e presidentit, e ka KQZ’ja, Gjykata Supreme dhe PZAP.