Berisha kërkon kthimin te Salzburgu

Pavarësisht interesimit te ekipeve nga Serie A, Verona dhe Genoa, mesfushori i Lazios, Valon Berisha, gjatë këtij muaji pritet të kthehet te Red Bull Salzburgu, ka raportuar të enjten sajti italian “Calciomercato”.

Berisha ka kërkuar kthimin tek ekipi austriak pasi nuk bën pjesë në planet e trajnerit të Lazios, Simone Inzaghi.

Ai do të huazohet te Red Bull Salzburgu deri në fund të këtij edicioni për të gjetur ritmin pas lëndimeve të shpeshta që i ka pasur prej se është transferuar në Itali.

26-vjeçari u transferua te Lazio në verën e vitit 2018 nga Red Bull Salzburgu për dhjetë milionë euro dëmshpërblim dhe me ekipin italian ka kontratë deri në verën e vitit 2023.

Reprezentuesi i Kosovës, këtë edicion ka vetëm gjashtë paraqitje apo 180 minuta lojë gjithsej te Lazio, në të gjitha garat.