Valon Berisha i ka dhënë fund periudhës së errët dhe është gati t’i tregojë vlerat e tij pasi iu rikthye stërvitjeve me grupin. Lazio beson tek Berisha, i cili do ta ketë një tjetër mundësi për ta treguar veten në sezonin 2019/20.

Është numri që e ka veshur vetëm në 14 ndeshje në sezonin që shkoi.

Berisha i ka zhvilluar 8 ndeshje në Serie A, 5 në Europa League dhe 1 në Coppa Italia, me një total prej 538 minutash në sezonin 2018-2019.

Tash, për mesfushorin kosovar ka ardhur momenti i rilindjes, shkruan “Laziostory”, përcjell “Gazeta Express”.

Futbollisti i lindur në vitin 1993, Valon Berisha i ka kaluar shumë muaj i lënduar, por tash ka ardhur momenti që të rikthehet dhe të luftojë në fushë.

Një vit më parë, në Marienfeld punonte ndaras nga ekipi në tentim për ta kaluar lëndimin e pësuar në Auronzo të Cadore në fazën përgatitore.

12 muaj më vonë, në Tre Cime të Lavaredos ku Lazio e zhvilloi fazën përgatitore, përfaqësuesi kosovar nuk është parë fare, por në Gjermani, ku po i vazhdojnë “Biancocelesti” përgatitjet, është rikthyer përfundimisht në grup.

Ai e zhvilloi një pjesë të lojës kundër Paderbornit, të mjaftueshme për ta shijuar barin e gjelbër dhe për ta hequr sadopak tensionin e lojës dhe frikën nga një lëndim tjetër.

“Sa shumë më ke munguar, të dua futboll”, ishte postimi në rrjetet sociale i futbollistit kosovar të rritur në Norvegji.

Trajneri Simone Inzaghi insiston për formacionin 3-5-2, një modul ideal për kualitetet e Valonit, i cili mund të zhvendoset si në krahë ashtu edhe prapa sulmuesve, natyrisht me karakteristika të ndryshme nga Correa e Luis Alberto.

Hera e fundit kur Berisha kishte luajtur titullar tek Lazio ishte ndeshja në shtëpi në Serie A ndaj Napolit: ishte 7 shkurti i këtij viti.