Bekë Berisha

Berisha: Dugolli e kontrabandoi projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës

Kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, ka akuzuar anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komision, Enver Dugolli, duke thënë se “në mënyrë klandestine ka kontrabanduar” me projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Berisha i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh të enjten se ky projektligj nuk duhet të miratohet pasi cenon sigurinë kombëtare dhe rrezikon bashkëpunimin e Kosovës me partnerët.

“Nëse hiqet termi ‘dhe sigurisë’ cenohet mandati dhe veprimtaria e AKI-së… Ky bën që të humb kuptimi i AKI-së, inspektimi i AKI-së duhet të kryhet nga inspektori i AKI-së..Ndoshta pëe të emëruar dikë që është i preferuari i pushtetit, për të marrë kontroll në këtë agjencion…Doni të eliminoni presidenten nga kompetencat…pasi keni probleme mes vete. Amandamenti 45 për dispozitat kalimtare është e keqja më e madhe pasi do të krijohet boshllëk për 12 muaj pa instrument të inteligjencës së mbrojtjes pasi do të shuhet drejtoria aktuale për siguri”, ka shtuar tutje Berisha.

Ai ka kërkuar që projektligji të kthehet në fillim.

Ndaj Berishës reagoi shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari-Lila, që tha se nuk qëndrojnë pretendimet e deputetit të AAK-së.

“Grupi i VV-së ka dakordimin që ky projektligj të kthehet në komision në mënyrë që të ketë harmonizimin me partnerët që janë pjesë e diskutimit për temën e sigurisë dhe inteligjencës. S’ka pasur të bëjë me dispozitat që ai i përmendi e që janë tematikë tjetër. Pajtohemi që ky projektligj të kthehet në komision”, ka shtuar ajo.