Berati ndalon për 1 minutë qarkullimin e makinave, heshtje për viktimat e aksidenteve

I gjithë qarkullimi i mjeteve ka ndalur sot  për 1 minutë në të gjithë qarkun e Beratit, në përkujtim të viktimave nga aksidentet rrugore. Situata është monitoruar nga efektivë të policisë rrugore dhe të gjithë drejtuesit e mjeteve fikën makinat dhe mbajtën 1 minutë heshtje për të gjithë ata qytetarë që kanë humbur jetën pas përfshirjes në aksidentet rrugore.

Shefi i Qarkullimit Rrugor të qarkut Berat, Ali Yzeiri ka konfirmuar se, edhe pse gjatë këtij viti numri i viktimave tē aksidenteve rrugore është ulur në krahasim me një vit më parë,numri i të plagosurve është rritur me 5%.

Yzeiri ka bërë apel të fortë për sistemimin e sinjalistikës rrugore si dhe vendosjen në rrugë të barrierave,ose siç njihen ndryshe “policat e sheshtë”. Ai ka deklaruar se i është kërkuar të pesta bashkitë të qarkut Berat që të rinovohet sinjalistika horizontale e vertikale në të gjithë qarkun,ndërkohë që ka deklaruar se në akset problematike dhe në pikat e errëta policia rrugore e Beratit ka vendosur Njësi Operacionale, të pajisura me Radar.

Në kuadër të Ditës Botërore të përkujtimit të viktimave të aksidenteve, edhe policia e Lezhës organizoi një aktivitet sensibilizues ku u improvizua një aksident si dhe u bllokuar për 60 sekonda qarkullimi i mjeteve në rrethrrotullimin në hyrje të qytetit të Lezhës.

Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë Altin Mena thotë se duhet bashkëpunimi i të gjitha institucioneve dhe sensibilizimi i shoqërisë për të parandaluar aksidentet rrugore që po marrin jetë njerëzish. Mungesa e standardeve në rrugë dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor është shkaku kryesor i aksidenteve në rrugët që përshkojnë qarkun e Lezhës.