Beqiri: S’e njoh grupin e fajdeve, ne i kemi dhënë leje Fatmir Dalladakut

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka folur përsëri për rastin “Spitali”, pas akuzave të adresuara sot nga Partia Demokratike e Kosovës.

Beqiri ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se lejen e vitit 2003 për ndërtimin e objektit të Qendrës Kardiokirurgjike në Prishtinë e ka dhënë Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Ai ka theksuar se si kryetar i Komunës së Prishtinës asokohe vetëm e ka nënshkruar vendimin për spitalin.

“Po të kishte shkelje procedurale, po të kishte shkelje ligjore, harrojeni që kjo do të kishte kaluar”, ka deklaruar Beqiri, duke thënë se Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka pasur kompetencat të ndërhynte.

Beqiri ka thënë se nuk e njeh grupin e akuzuar në skandalin e fajdeve, duke deklaruar se Komuna e Prishtinës i ka dhënë leje vetëm Fatmir Dalladakut.