Belgjika luan vetëm 18′, Polonia feston me Lewa-Glik, Enis Bardhi shpëton Maqedoninë (VIDEO)

Belgjika ka marrë fitoren e dytë në po kaq ndeshje të luajtur në Grupin I të fazës kualifikuese për Euro 2020. Belgët kanë mundur 2-0 në transfertë skuadrën e Qipros dhe tani kryesojnë grupin me një avantazh prej tri pikësh.

10 minuta i kanë mjaftuar “Djajve të Kuq” të zhbllokojnë ndeshjen me Eden Hazard para se Michy Batshuayi ka dyfishuar për miqtë në minutën e 18-të. Pjesa e dytë nuk ka dhuruar emocione, me Belgjikën që është mjaftuar të menaxhojë avantazhin.

Fitore edhe për Poloninë, që ka mundur 2-0 Letoninë në Grupin G. Ndeshja e luajtur në Varshavë është hapur nga Lewandowski në minutën e 76-të dhe është mbyllur nga Glik në të 84-ën.

Polakët tani kryesojnë grupin me gjashtë pikë, dy më shumë se ndjekësit më të afërt, Izraeli dhe Maqedonia e Veriut, me këta të fundit që kanë shmangur humbjen në fushën e Sllovenisë falë një goli të Enis Bardhi-t.