Euro 2024

Belgjika kërkon falje për videon “goditeni Mbappen”

Belgjika ka kërkuar falje pas videos së postuar në rrjetet sociale ku thuhet se Amadou Onana do ta godasë kapitenin e Francës, Kylian Mbappen, kur skuadrat të ballafaqohen në 1/8 e finales së Kampionatit Evropian në Gjermani.

Franca dhe Belgjika luajnë të hënën nga ora 18:00 në Duesseldorf.

Në video shihet komediani Pablo Andres i cili nis një këngë ku pyet se kush do ta godasë këmbën e Mbappes? Më pas, mesfushori i Evertonit, Onana 22-vjeçar, përgjigjet duke thënë se ai do të jetë Amadou Onana.

Kjo më pas është fshirë nga rrjetet sociale të Federatës së Futbollit të Belgjikës.

Zëdhënësi për media i Belgjikës, Stefan van Loock, ka kërkuar falje të shtunën në nisje të konferencës për shtyp.

“Videoja kishte për qëllim të ishte humor, por më pas është fshirë nga rrjetet sociale”, ka thënë ai.

Kjo video nuk është pritur mirë në Francë.