Bekim Jashari, i biri i heroit kombëtar Hamëz Jashari i ka demantuar raportimet e mediave se motra e tij Besarta, do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë të Vetëvendosjes.

“Pas interesimit të madh të mediave për një qëndrim të familjes sonë lidhur me spekulimet për mundësinë e përfshirjes së motrës sime, Besarta Jashari, si kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, ju njoftojmë se Besarta nuk do të jetë pjesë e asnjë liste elektorale të asnjë partie politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka shkruar Jashari.

Tutje ai ka deklaruar se familja Jashari mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të qëndruar jashtë përfshirjes aktive në partitë politike dhe proceset zgjedhore, duke ruajtur angazhimin si përkrahës të paanshëm të zhvillimit të vendit.

“Në këtë moment të rëndësishëm për Kosovën, bëjmë thirrje për unitet dhe bashkëpunim të plotë mes të gjithë akterëve politikë në vend”, ka shkruar Jashari.

Lajmin për kandidaturën e Besartës paraprakisht e mohoi edhe zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.

“Lajmi per Besarta Jasharin eshte i pavertete. Ai lajm eshte be me qellim te krijoje pritshmeri te publiku dhe pastaj te tentoje ta deshproje ate. Klanks, me certifikate nga Serbia, nuk e respekton dot familjen Jashari”, shkroi Manxhuka në Facebook.