Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në prag të zgjedhjeve, duke kërkuar mbështetje për PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamza.

Përmes një postimi publik, Haxhiu ka deklaruar se Kosova ndodhet përballë një momenti vendimtar, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për ndryshim, zhvillim ekonomik, siguri dhe më shumë shpresë për qytetarët.

Ai ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se qytetarët duhet t’i japin fund një pushteti që, sipas tij, ka sjellë përçarje, izolim dhe zhgënjim.

“Është koha t’i themi mjaft një pushteti që ka përçarë, izoluar dhe zhgënjyer qytetarët. Kosova ka nevojë për zhvillim, siguri dhe shpresë. Ka nevojë për një qeveri që punon për të gjithë”, ka shkruar Haxhiu.

Kandidati i PDK-së ka theksuar se partia e tij ka dëshmuar në të kaluarën aftësi qeverisëse dhe përkushtim për zhvillimin e vendit. Ai gjithashtu është shprehur optimist për kthimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë si një lajm të shumëpritur nga qytetarët që besojnë në drejtësi.

Në fund të mesazhit të tij, Haxhiu u ka bërë thirrje qytetarëve që të bisedojnë me familjarët dhe miqtë e tyre dhe të dalin masivisht në votime, duke kërkuar mbështetje për PDK-në, Bedri Hamzën për kryeministër dhe kandidaturën e tij për deputet.

“Besoj se me punë, angazhim dhe qëndrime të qarta e kam dëshmuar përkushtimin tim ndaj qytetarëve dhe Kosovës. Më 7 qershor, votoni për ndryshimin”, ka përfunduar ai.