Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka marrë pjesë në homazhet për nder të 27-vjetorit të rënies së heroit Mustafë Haxhiu, në Kompleksin Memorial në Terrnavc.

Sipas Haxhiut, homazhet u zhvilluan së bashku me kryetarin e komunës, Sami Lushtaku, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë, ku u vendosën lule të freskëta në nderim të veprës dhe sakrificës së heroit për lirinë e vendit.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës në familjen e heroit, familjarët i dhuruan Gjeneral Sami Lushtakut emblemën e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si shenjë respekti nga bashkëshortja dhe mbesa e Mustafë Haxhiut.

Në këtë përvjetor u përkujtuan me nderim edhe dëshmorët Bekim Doroci, Gëzim Ferizi dhe martiri Bedri Haxhiu, të rënë 27 vite më parë.

“Lavdi e përjetshme të rënëve për liri”, ka qenë mesazhi i Haxhiut në përmbyllje të postimit të tij.