Kandidati për deputet nga radhët e Partia Demokratike e Kosovës me numër 109, Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se një nga prioritetet e tij në legjislaturën e ardhshme do të jetë rikthimi i iniciativës për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti Pensional.
Përmes një deklarate publike, Haxhiu ka theksuar se qytetarët duhet të kenë të drejtën të disponojnë me kursimet e tyre, duke premtuar se si deputet do të angazhohet për rikthimin e 30 për qind të mjeteve nga Trusti Pensional.
“Qytetarët meritojnë kursimet e tyre. Si deputet i ardhshëm do të riinicioj kthimin e 30% të mjeteve nga Trusti Pensional dhe themelimin e Fondit të ri Pensional dhe Social të Kosovës përmes miratimit të Kodit Pensional dhe Social të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas tij, përveç mundësisë së tërheqjes së një pjese të kursimeve pensionale, nevojitet edhe reformimi i sistemit pensional përmes krijimit të një fondi të ri pensional dhe social, i cili do të ofronte më shumë siguri për qytetarët.
Haxhiu ka theksuar se kjo nismë synon të adresojë vështirësitë ekonomike me të cilat përballen shumë familje në Kosovë, duke e konsideruar qasjen në kursimet personale si një të drejtë legjitime të qytetarëve.
Në fund të mesazhit të tij, kandidati i PDK-së ka përsëritur sloganin e fushatës së tij: “Stop krizës, Ndrysho Kosovën!”.






