Rrahja në Kuvend

Bekim Haxhiu për rrahjen në Kuvend: E nxiti Besnik Bislimi, ishte e planifikuar nga pushteti

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve të PDK-së, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku e Bekim Haxhiu për rrahjen në Kuvendin e Kosovës.

Lidhur me këtë rast ka folur për Lajmi.net, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. Ai ka thënë se ende nuk janë njoftuar zyrtarit nga Prokuroria, por që informatën e kanë marrë nga mediat.

Por, që Haxhiu ka thënë se Prokuroria është duke e kryer punën e saj dhe si akter të përfshirë në rast do t’i përgjigjen drejtësisë, shkruan Lajmi.net.

“Neve na ka intervistu prokuroria pas rastit që ka ndodh në Kuvend, ata e kanë kryer punën e tyre ne ju kemi përgjigj institucioneve të drejtësisë. Na e kemi pa në medie, zyrtarisht nuk kemi marrë asgjë  para dy jave ka dalë në media, realisht do të duhej fillimisht prokuroria t’i njoftonte palët, presim të na njoftojnë”, ka thënë ai për Lajmi.net.

Ndërsa Haxhiu tutje është shprehur se rrahja e cila ndodhi në Kuvend ishte e parapërgaditur nga pushteti në mënyrë që ta largoj vëmendjen nga afera në të cilën ishte e përfshirë, shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari në biseda me Listën Serbe.

Ai tutje u shpreh se i pari që e nxiti incidentin ishte zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

“Situata e cila ka ndodhur në Kuvend ka qenë një parapërgatitje për me prodhu një incident në Kuvend që ta largojë vëmendjen nga afera “Zdravo”. I pari që e ka nxitë këtë ka qenë kabineti qeveritar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi e të tjerët pastaj ne që u involvuam aty”, tha ai.

Haxhiu tutje u shpres se ajo që ka ndodhur atë ditë nuk i bënë nder askujt dhe skena të tilla nuk duhet të shihen në Kuvendin e Kosovës.