Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së me numër 109, Bekim Haxhiu, ka zhvilluar një takim me veteranë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë në Açarevë, vend që ai e cilësoi si simbolik për jetën dhe angazhimin e tij patriotik.

Përmes një postimi publik, Haxhiu tha se pikërisht në Açarevë kishte veshur për herë të parë uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e quajti “uniforma më e bukur në botë”.

“Pas takimit me veteranët, vazhdova për në Açarevë për t’i takuar bashkëluftëtarët dhe qytetarët e Açarevës. Në Açarevë, për herë të parë e kam veshur uniformën më të bukur në botë, uniformën e UÇK-së”, ka deklaruar Haxhiu.

Ai gjithashtu theksoi se qytetarët, sipas tij, tashmë e kanë kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve të 7 qershorit dhe se në të gjitha lagjet, fshatrat dhe qytetet po vërehet mobilizim për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ka mobilizim për ta arritur fitoren e PDK-së, për ta ndalur krizën dhe për ta filluar ndryshimin pozitiv për Kosovën”, u shpreh ai.

Në fund të mesazhit të tij, Haxhiu përsëriti sloganin elektoral: “Stop krizës, ndrysho Kosovën”, duke kërkuar mbështetje për PDK-në dhe kandidaturën e tij me numër 109 në zgjedhjet e ardhshme.