Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka zhvilluar një takim me bashkëfshatarë dhe bashkëluftëtarë, ku ka diskutuar për zgjedhjet e 7 Qershorit dhe sfidat me të cilat po përballet vendi.

Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se ditën e nisi me kafe dhe bashkëbisedim të ngrohtë me qytetarët, nga të cilët tha se po merr mbështetje dhe besim të madh në rikandidimin e tij për deputet me numrin 109 në kuadër të listës së PDK-së.

“Biseduam hapur për zgjedhjet e 7 Qershorit dhe për sfidat që e presin vendin tonë. Mbështetja dhe besimi i tyre janë motiv i madh për mua në rikandidimin tim me numrin 109, në kuadër të PDK 125”, ka shkruar Haxhiu.

Ai ka theksuar se do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe shtetit.

“Nuk do të hesht përballë të keqes. Zëri im nuk ndalet në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe të shtetit tonë”, u shpreh kandidati i PDK-së.

Haxhiu ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Kosova ka nevojë për një qeveri që punon, që nuk abuzon me pushtetin, por zhvillon vendin dhe përmirëson jetën e qytetarëve”, deklaroi ai.

Në fund, Bekim Haxhiu ka kërkuar mbështetje për Partinë Demokratike të Kosovës dhe kandidatin për kryeministër Bedri Hamza në zgjedhjet e ardhshme.

“PDK 125, Bedri Hamza kryeministër dhe Bekim Haxhiu – Kamishi 109”, përfundoi ai.