Bekë Berisha i AAK-së paralajmëron edhe luftë në rast të nënshkrimit të marrëveshjes për ndryshim kufijsh

Deputeti i  AAK-së, Bekë Berisha ka reaguar lidhur me publikimin e koncept-dokumentit që ka të bëjë me ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, e ku përfshihet Kosova.

Ai tha se të gjithë shërbimet diplomatike që e lexojnë këtë ua përkujton se Kosova as nuk e ka humbur luftën e parë botërore, as luftën e dytë botërore, për më tepër Kosova dhe qytetarët e saj për vite të tëra kanë vuajtur nga aparteidi i regjimeve.

Berisha ka paralajmëruar se nëse një gjë e tillë ndodhë mund të shkohet edhe më tutje, ndoshta edhe të ketë luftë.

“Nëse dikush ka akoma iluzione se një gjë e tillë mund të realizohet, atëherë tymi i gazit lotsjellës që keni parë para disa vitesh në Parlamentin e Kosovës, nuk do të jetë më tym i lotsjellësit, dhe nuk do të mbetet më në Parlament, e besa as brenda kufijve të Kosovës!”, tha ai.

Postimi i tij plotë:

Non paper shqip 

Me kujdes e lexova dhe ri-lexova një “koncept dokument” apo “non paper” siç po e quajnë, e që dje u publikua nga një media e Kosovës. Duke marrë parasysh se për nga definicioni këso lloj konceptesh janë jo-formale, ashtu edhe unë në mënyre jo-formale me një non-status dëshiroj ti them dy fjalë për të!

Meqenëse që nga procesi i Vjenës e deri te marrëveshja e Shtatorit të kaluar në Washington të SHBA-ve ne si Kosovë nuk kemi arritur të imponojmë tezat tona në tavolinën e bisedimeve, është pala tjetër, ajo Serbe e cila gjithmonë po e ka përparësinë e hapit të parë, e si rezultat i kësaj dalin në publik edhe kësi lloj “jo-dokumentesh” si dhe disa harta të dyshimta të gjoja ndarjes, të cilat kanë për qëllim matjen e pulsit të palës Kosovare për procesin e bisedimeve që na pret në muajt në vijim.

Koncept dokumenti apo “non paper” siç po e quajnë, është i shkruar në frymën e dokumenteve të kapitullimit, dokumente të cilat të dy shtetet e cekura si iniciues të këtij “non paper” janë mësuar t’ia imponojnë njëra tjetrës gjatë shekullit të shkuar.

Në këtë “jo-dokument” mungonte vetëm edhe përshkrimi i momentit dhe vendit se ku do të nënshkruhet ky kapitullim, por duke e njohur historinë, me siguri nënshkrimi parashihet të ndodh në një vagon treni diku në Beograd!

Për të gjitha shërbimet diplomatike të cilat do ta lexojnë këtë jo-status, dëshiroj t’ju përkujtoj se Kosova as nuk e ka humbur Luftën e Parë Botërore, e as Luftën e Dytë, për më tepër, Kosova dhe qytetarët e saj për vite të tëra kanë vuajtur nga aparteidi i regjimeve të Pashiqit, Rakoviqit e Millosheviqit për ti përmendur disa si dhe u kanë mbijetuar dy gjenocideve atij të vitit 1945 dhe të viteve 1998-99.

Me bindje të thellë dëshiroj t’ju garantoj se nuk ka lider të Kosovës, parti politike, e as legjislaturë të Kuvendit të Kosovës që do të nënshkruante apo votonte një marrëveshje si kjo e parashtruar në këtë “non paper” apo ndonjë element të përmendur në të.

Nëse dikush ka akoma iluzione se një gjë e tillë mund të realizohet, atëherë tymi i gazit lotsjellës që keni parë para disa vitesh në Parlamentin e Kosovës, nuk do të jetë më tym i lotsjellësit, dhe nuk do të mbetet më në Parlament, e besa as brenda kufijve të Kosovës!