Bejta: Qeveria e 50 ditëve përveç shumë skandaleve këto ditë tregoi që qytetari i Kosovës në sytë e saj nuk është i barabartë

Asamblistja e pavarur në Kuvendin e Prishtinës, Fiknete Bejta, thotë se qeveria e 50 ditëve përveç shumë skandaleve këto ditë tregoi që qytetari i Kosovës në sytë e saj nuk është i barabartë dhe këtë e dëshmojë në më shumë se tri raste.

Duke ju referuar parapërgatitjes së protestës së Lëvizjes Vetëvendosje, ku dhjetëra aktivist të kësaj partie thyen masat e qeverisë duke përformuar në shesh, Bejta ka kërkuar që të ketë trajtim të barabartë para ligjit.

Për këtë mosbarazi, ajo ka tërhequr një paralele në mes të disa buqëve për të cilët tha se janë dënuar dje dhe aktivistëve të VV-së q u lanë të thyejnë rregullat e vendosura nga qeveria.

Postimi i plotë i asamblistes Bejta:

Në fshatin Barilevë policia dje paska dënuar dy vëllezër, punëtor krahu, secilin nga 150 euro, familja e tyre po jetojka në kushte tepër të këqija ekonomike. Arsyeja pse janë dënuar ata qenka se nuk kanë pasur dokument që po shkojnë me punu në arë për meditje në fshatin Barilevë nga fshati i tyre.

Masat restriktive që janë vënë nga qeveria për parandalim nga Pandemia duhet të vlejnë për të gjithë njësoj dhe jo për dikë, e po për dikë.

Qeveria e 50 ditëve përveç shumë skandaleve këto ditë tregoi që qytetari i Kosovës në sytë e saj nuk është i barabartë dhe këtë e dëshmojë në më shumë se tri raste. Selektimi tek karantinimi në Konvikte, selektimi i bërjes së testit për Covid-19 si dhe rasti i djeshëm ai i tolerimit të grumbullimit në shesh për 500 aktivistët e një subjekti politik (përderisa kjo është e ndaluar pikërisht nga vendimet e ndërmarra nga kjo qeveri) tregojnë se institucionet që po menaxhojnë me situatën Covid-19 po zhvillojnë politika selektive të ndikuara nga përkatësia politike.

Masat restriktive për shkak të Pandemisë duhet jenë të njëjta për të gjithë qytetarët dhe të njëjtat duhet të vlejnë për të gjithë njësoj dhe jo si tju përshtatën autoriteteve që i kanë vendosur ato.

Shumë fshatarë nuk kanë pasur mundësinë të punojnë tokat e tyre lirshëm për shkak të këtyre masave, shumë biznese kanë pasur kufizime për të zhvilluar aktivitetet e tyre për shkak të këtyre masave. Por ata, qytetarët e respektuan çdo masë që qeveria ndërmori qoftë edhe dënimet, pse tash nga ky institucion po i kemi këto tolerime e këto selektime?!! Pse qeveria po i dallon qytetarët?! A nuk duhet qeveria të respektojë të drejtën themelore të njeriut për të qenê i barabartë para ligjit?.