Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Artan Behrami, me numër 75 në listën zgjedhore, ka zhvilluar një takim me profesorin e gjuhës shqipe, Elez Beqiraj, të cilin e ka vlerësuar si një intelektual me kontribut të çmuar në arsim dhe edukim.

Përmes një postimi, Behrami ka theksuar se bashkëbisedimi me profesor Beqirajn ishte një mundësi e veçantë për të diskutuar mbi vlerat kombëtare, rëndësinë e gjuhës shqipe dhe rolin e arsimit në formimin e shoqërisë.

“Një bashkëbisedim shumë i mirë me profesorin e nderuar të gjuhës shqipe, Elez Beqirajn — një intelektual i urtë dhe me vlera të rralla. Takimet me të janë gjithmonë mësim për dashurinë ndaj gjuhës, familjes dhe Atdheut”, ka deklaruar Behrami.

Ai gjithashtu ka vlerësuar lart kontributin shumëvjeçar të profesorit në edukimin e gjeneratave të reja, duke theksuar se Beqiraj ka luajtur rol të rëndësishëm në arsimimin dhe emancipimin e brezave të tërë në rajonet e Dukagjinit dhe Drenicës.

Sipas Behramit, figura të tilla përfaqësojnë vlera të rëndësishme shoqërore dhe kombëtare, ndërsa përvoja dhe puna e tyre mbeten frymëzim për brezat e rinj.