Behramaj: Mimoza Kusari fyeu policët, Enver Zymberi s’e dha jetën për bitcoinat e Radojiçiqit

Adil Behramaj, ish këshilltar i ish presidentit, Hashim Thaçit ka thënë se deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila sot paskrupullsisht i paska fyer policët heronj të Kosovës.

“Heroi i Kosovës, Enver Zymberi, e ka dhënë jetën në krye të detyrës për ta shtrirë sundimin e ligjit në veriun e Kosovës. Ai nuk e ka dhënë jetën për t’u fyer sot nga Kusari-Lila dhe as për t’i rimburësuar pagesat e energjisë elektrike për prodhimin e bitcoinave të Milan Radojiçiqit. Ia kanë nisur të na fyejnë edhe heronjtë për nevojat e politikës së tyre ditore! Mirë që nuk ka qenë ndonjë projekt për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Libaneze, se Kusari-Lila edhe atë do ta votonte!”, ka shkruar Behrami.

Deputetja Kusari Lila theksoi se më mirë është të ndahen mjete prej KOSTT-it për veriun, se sa, siç tha ajo, të dërgohen forca policore dhe të kthehen në arkivol, sikur rasti i policit, tashmë hero, Enver Zymberi.

Ajo tha se Qeveria obligohet që brenda afatit 6 mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për konsumatorët në katër komunat e Kosovës.

“Jemi duke bërë zgjidhje për shtet të Kosovës, për atë çka nuk është bërë deri tash, sepse më mirë është të bëhet zgjidhje sot me mjete që ndahen prej KOSTT-it, se sa, pasi po doni politikë, të dërgohen forca policore e të na kthehen në arkivol, qysh na është kthyer Enver Zymberi. Kjo implikohet. Tërë dita na ka shkuar duke përmend të vdekur në seancë, por ju tregoj edhe këtu ka mundësi. Kjo është çështje e sigurisë”, tha Kusari Lila. /Ballkani.info/