Behramaj-Gjinovcit: A ka qenë e poshtër edhe ajo pagë që e ke marrë nga Presidenca gjatë mandatit të Thaçit?

Ani pse gjendet në Hagë dhe po përballet me një proces mjaftë të vështirë gjyqësorë, Hashim Thaçi përsëri vazhdon të jetë një ndër njerëzit më të komentuar edhe në prag të zgjedhjeve.

Madje mbrëmë një debat mjaftë i zëshëm u bë në një prej studiove televizive në vend.

Rron Gjinovci ndër të tjerash deklaroi se Thaçi në bazë të meritave si drejtor politik i UÇK-së është bërë milioner dhe president.

“Thaçi ka qenë drejtor politik i UÇK-së, me ato merita është bërë milioner dhe president. E tash po shkon në Hagë sepse duhet me u përgjigj edhe për ato tjerat çka ka ndodh. Vetëvendosje ka me i thy rekordet, dalë-ngadalë Hashim Thaçi harrohet krejt”, tha ndër të tjerash Gjinovci.

Pas kësaj është vetë këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj i cili ka reaguar duke thënë se Gjinovci ishte në marrëdhënie pune me Thaçin, si i emëruar i tij.

Behramaj tha se kjo marrëdhënie pune e Rron Gjinovcit ka zgjatur nga 27 prill 2018 deri më 5 qershor 2020.

“Pritoj të merrem me këtë kontaminuesin e opinionit publik. Por, për hir të së vërtetës, ky Rron Gjinovci ka qenë në marrëdhënie pune me Hashim Thaçin, si i emëruar i tij. Kjo marrëdhënie e punës ka zgjatur nga 27 prill 2018, deri më 5 qershor 2020. Njëherit kjo ka qenë periudha e Rron Gjinovcit kur i thurte lavde publikisht Hashim Thaçit”, tha ai.

Tutje i njëjti pyeti se “A ka qenë e poshtër edhe ajo pagë që e ka marrë nga Presidenca gjatë mandatit të Thaçit?”.