Behgjet Pacolli: Shteti t’u dal në ndihmë ish-komandantëve të UÇK-së në Hagë

Lideri i Aleancës Kosova e Re, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, Behgjet Pacolli ka folur për ish-komandantët e UÇK-së që janë në Hagë.

Ai thotë Kosova duhet të ketë një strategji të qartë për të mbrojtur historinë tonë dhe qytetarët tanë në Hagë.

“Mendoj se kjo është një sfidë e paparë për Kosovën. Ekzistojnë dy çështje, procedurat gjyqësore, e cila është çështje e avokatëve në Hagë, dhe aspektet politike që i takojnë çdo qytetari të Kosovës. Unë jam i shqetësuar për narrativën historike që gjykata po krijon duke sfiduar periudhën më krenare në historisë sonë – luftën për çlirim dhe pavarësi. Kosova duhet të ketë një strategji të qartë për të mbrojtur historinë tonë dhe qytetarët tanë në Hagë. Duhet të ketë mbrojtje gjyqësore të organizuar nga shteti dhe një reagim politik kundër revizionizmit dhe rishkrimit të historisë sonë”, ka thënë Pacolli për lajmi.net.

Pacolli thotë se është i shqetësuar si një Gjykatë e themeluar sipas kushtetutës së Kosovës mban një pozicion neutral ndaj Kosovës.

“Unë jam i shqetësuar se si një Gjykatë e themeluar sipas kushtetutës së Kosovës mban një pozicion neutral ndaj Kosovës duke injoruar emrin dhe flamurin e saj, ndërsa nënvizon emrin kushtetues të Jugosllavisë së Sllobodan Millosheviçit. Kjo është diçka që duhet të shqetësohemi. Më shumë sesa kjo duhet të shqetësohemi se Akademia e Shkencave, institucionet përkatëse, heshtin. Kosova kishte nën UNMIK një reagim më shumë burrëror sesa sot në pavarësi për çështjet në Hagë. Diçka po shkon keq”, ka deklaruar ai.