Behgjet Pacolli ia komenton Kurtit “rritjen ekonomike”, e quan “fantazi” të tij

Sipas Behgjet Pacollit, të flasësh për ngritje ekonomike “me terma fantazie”, në kohën kur ka krizë është e papërgjegjshme. Këto komente, Pacolli i bën pas një shkrimi të Kryeministrit Albin Kurti për progresin ekonomik të cilin, sipas tij, po e përjeton Kosova. Pacolli nuk ka dashur që t’i drejt Kryeministrit, duke iu referuar si “dikush”.

Kryeministri Kurti shkroi për punësime dhe për rritjen ekonomike, prej që ai e drejton Qeverinë e Kosovës. Pacolli thotë se për diçka të tillë, në kohëra krize si tani, s’flasin as vendet më të zhvilluara ekonomikisht.

Deputeti dhe biznesmeni kosovar thotë se punësimet që i përmend Kurti, nuk kanë ndodhur në Kosovë. Sipas Pacollit, Kurti po flet me “terma fantazie”.

“Ndoshta është e vërtetë se dhjetëra mijëra kosovarë janë punësuar, por jo në Kosovë. Janë punësuar Gjermani, Kroaci, Slloveni dhe Zvicër. Edhe ata (në këtë rast unë dhe kompanitë e mia) që krijojnë punësim në Kosovë, sot bojkotohen dhe pengohen nga kjo qeveri që nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka bllokuar e keqmenaxhuar paratë e taksapaguesve”, ka shkruar Pacolli.

Postimi i plotë i Pacollit, pa ndërhyrje:

Po lexoj në media se dikush ka folur për një rritje të lartë ekonomike në vend, për dhjetëra mijëra vende të reja pune dhe për të gjitha këto të mira që kanë ndodhur në Kosovë. Mendoj se është jashtëzakonisht e papërgjegjshme në një krizë si kjo, me një dimër të vështirë përpara, të flasim me terma fantazie, vetëm e vetëm të blihet paqja sociale.

Edhe në vendet më të zhvilluara sot nuk flitet për ndonjë rritje ekonomike apo vende pune, por diskutohet se si të përballen krizat, inflacioni dhe mungesa e energjisë.

Ndoshta është e vërtetë se dhjetëra mijëra kosovarë janë punësuar, por jo në Kosovë. Janë punësuar Gjermani, Kroaci, Slloveni dhe Zvicër. Edhe ata (në këtë rast unë dhe kompanitë e mia) që krijojnë punësim në Kosovë, sot bojkotohen dhe pengohen nga kjo qeveri që nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka bllokuar e keqmenaxhuar paratë e taksapaguesve.

Edhe video e fundit e VV-së kundër biznesmenëve është sinjal se ndërmarrjet private nuk përkrahen, por po luftohen në të gjitha mënyrat. Unë nuk mund ta kuptoj për çfarë qëllimi.

Pyetje: Cila ishte vizita inkurajuese e Kryeministrit në ndërmarrjet e Mabetex Group (që punësojnë me mijëra vetë) apo në ndonjë ndërmarrje tjetër. Kjo është edhe përgjigja pse investitorët nuk vijnë në Kosovë por shkojnë në Shqipëri e gjetiu!