Behgjet Pacolli i shqetësuar me atë çka po ndodhë para ndeshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është shprehur i shqetësuar me situatën që u krijua sot para ndeshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kjo pasi që Serbia iu bëri presion ndaj dy futbollistëve dhe trajnerit të Kombëtares së Malit të Zi, të cilët u tërhoqen dhe nuk do të marrin pjesë në ndeshjen e sontme.

Pacolli ka thënë se kjo gjë e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë, teksa ka shtuar se Kosova dhe Mali i Zi do t’i kapërcejnë këto pengesa nga Beogradi dhe të dyja vendet tona njohin taktikat e Serbisë.

Ky është postimi i plotë:

Po ndjek me shqetësim situatën në lidhje me ndeshjen e futbollit midis Kosovës dhe Malit të Zi. Mali i Zi është mik dhe partner i Kosovës. Serbia nuk do ta pengojë këtë miqësi.
Presioni ndaj trajnerit dhe ndaj disa lojtarëve nga Beogradi dhe mediat serbe e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë për të ndërhyrë në vendet fqinje. Kosova dhe Mali i Zi do t’i kapërcejnë këto pengesa nga Beogradi dhe të dyja vendet tona njohin taktikat e Serbisë.
Sytë i kemi tek djemtë tanë sonte në Malin e Zi dhe ju urojmë atyre fitore.