Begaj në takim me Pendarovskin flet për “Ballkanin e Hapur”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në një deklaratë për mediat gjatë takimit me homologun e tij të RMV-së, Stevo Pendarovski tha se jo pa qëllim është zgjedhur Pusteci për këtë takim.

Kjo, për të treguar “për marrëdhëniet që kemi si dy vende mike, partnere të NATO-s”.

“Shqiptarët në RMV dhe komuniteti maqedonas në Pustec janë të rëndësishëm në marrëdhënien mes vendeve. Sfidat ndërmjet dy vendeve janë të mëdha. Një prej tyre është të kemi kushte për komunitetet tona”.

Kreu i Shtetit nënvizoi në fjalën e tij se, “shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe minoriteti maqedonas në Bashkinë e Pustecit, janë të rëndësishëm në marrëdhënien midis dy vendeve. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shumë mirë të integruar, kanë kontribut në shtetformimin e Maqedonisë së Veriut, dhe padyshim janë aktivë në jetën politike dhe ekonomike”.

Sipas Presidentit Begaj, sfidat midis dy vendeve janë të mëdha, ndaj ato duhet të përballohen së bashku. Për Kreun e Shtetit, kjo vizitë do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

I pyetur për Ballkanin e Hapur, Begaj tha se “padyshim si çdo iniciativë tjetër rajonale janë të mira. Vendimmarrësit ekzekutivë politikë e mendojnë për vazhdimin e një iniciative ose jo”.

Të dy presidentët zhvilluan një vizitë në Bashkinë e Pustecit, ku të shoqëruar nga autoritetet vendore të Bashkisë e të Qarkut të Korçës, vizituan qytetin e Pustecit dhe u takuan me përfaqësues të pakicës kombëtare maqedonase në këtë rajon.

Gjithashtu, të dy Presidentët zhvilluan një takim dypalësh dhe vizituan Shtëpinë Muze Sterjo Spasse në Gollomboç.

Më pas të dy Presidentët vizituan edhe disa prej atraksioneve turistike të Pustecit dhe vijojnë për një vizitë të shkurtër në qytetin e Pogradecit.