Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës për nder të Ditës së Çlirimit ka thënë Shqipëria do të jetë prezentë në çdo betejë e suksese të vendit.
“Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm. Kosova është histori suksesi. Çdo betejë e juaja është beteja e jonë. Çdo sukses i juaji është sukses i gjithë shqiptarisë. Gëzuar Ditën e Çlirimit”, tha Begaj.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se shqiptarët në rajon duhet ta ruajnë e forcojnë kohezionin e tyre kombëtar, social e kulturor.
Begaj pëmendi mobilizimin e Serbisë “për të njollosur luftën e drejtë e parimore të shqiptarëve”.
“Shqiptarët kanë nevojë për ta ruajtur dhe forcuar kohezionin e tyre kombëtar, social e kulturor edhe sot, në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike, mediatike në një fushatë thellësisht keqdashëse për të njollosur luftën e drejtë e parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, ne kemi nevojë më shumë se kurrë që të jemi bashkë, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një manifestë krenarie kombëtare, kjo nuk ka pse të na kompleksojë”, tha ai.
Begaj tha se shqiptarët s’mund të lejojnë të vendoset barazimi mes “krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet, mbijetesë e liri të shqiptarëve në Kosovë”.
“Ne nuk mund të lejojmë të vendoset shenja e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet, mbijetesë e liri të shqiptarëve në Kosovë. Nuk mund të lejojmë që krimi të shfaqet si virtyt në një kohë kur bota demokratike, miqtë tanë, po bëjnë çmos që të eliminojnë pengesat e ndryshme për të thjeshtëzuar bashkëjetesën shqiptaro-serbe sipas modeleve europiane”, tha ai.
Begaj tha se shqiptarët kanë përgjegjësi për ta ruajtur paqen.







