Tahir Batatina

Befason Batatina, thotë se ka tri oferta në tavolinë – dy nga to prej Superligës së Turqisë

Llapi është një ndër ekipet më në formë këtë sezon në elitën e futbollit kosovar dhe me shumë meritë po udhëheq tabelën në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Një ndër personat që ka më së shumti merita për këtë është padyshim edhe trajneri Tahir Batatina.

Në një intervistë për mediumin shqiptar Ora News, Tahir Batatina foli për gjithçka: nga objektivat e Llapit këtë sezon, deri tek forma e sulmuesit Muhamet Hyseni dhe mbrojtësit Ilir Krasniqi si dhe ofertat që tekniku llapjan i ka marrë së fundmi.

Batatina gjatë intervistë konfirmoi se ai ka dy oferta në tavolinë, njëra nga to vjen nga Superliga e Turqisë ku sipas tij Sivasspori ka shprehur interesim për të siguruar shërbimet e tij.

Oferta tjetër sipas Batatinës vjen nga Arabia Saudite, të cilët sipas tij kanë hulumtuar rreth profilit të tij dhe i kanë kërkuar që të takohen.

“Kam dy oferta nga Turqia. Pas përfundimit të kampionatit kosovar kam mbetur të analizojë ofertat bashkë me menaxherin tim. Sivasspori ka sjellur një ofertë që e kam unë për momentin, ofertë zyrtare. Kemi edhe një skuadër jashtë Turqisë”, ka thënë fillimisht Batatina.

“Sot më erdhi një njoftim nga menaxheri im, se një skuadër nga Arabia Saudite ka bërë një hulumtim për mua dhe ka kërkuar takim me mua diku në Turqi, por kam thënë se pa e përfundu kampionatin nuk lëvizi nga Kosova, ta mbylli me Llapin – e pastaj jam gati të marrë ndonjë skuadër në Europë, të tregojë vlerat e mija si trajner, e cilësinë që mund ta shfaqi”, përfundoi ai.

Pjesën kur Batatina flet për ofertat që ka marrë mund ta ndiqni duke klikuar KËTU nga minuta 12:26.