Bedri Istrefi: Konsumatorët e Z-Mobilet s’do të mbesin pa shërbime as një sekondë

Bedri Istrefi, shefi i Telekomit të Kosovës, tha sonte se shërbimet e përdoruesve të numrave të Z-Mobilet nuk do t’u ndërpriten për asnjë sekondë. Madje thotë se për ata konsumatorë do të ketë oferta shumë të mira.

“Faza e tranzicionit, e cila përfundon më 28 nëntor në ora 24:00. Migrimi do të bëhet në mënyrë automatike. Ne e kemi vendimin e ARKEP-it që thotë qartë se ia jep të drejtën Telekomit që t’i shfrytëzojë këta numra sepse janë të tyre. Numeracioni i Z-Mobile thotë se duhet t’i kalojë Telekomit të Kosovës, dhe në aspektin teknik ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet teknike. Jemi zotuar se konsumatorët e Z-Mobile nuk do të mbesin asnjë sekondë pa shërbime. U bëj ftesë konsumatorëve të Z-Mobile që pas datës 28 të vijnë sa më parë në pikat shitëse kudo në Kosovë që t’i japin të dhënat e tyre dhe të marrin kartelat e reja. Kemi oferta të mira për ta”, potencoi Istrefi në ktv.

Ai foli edhe për përfitimet financiare që do t’i ketë Telekomi me numrat e Z-Mobilet, duke thënë se përfitimet do të jenë rreth 1.2 milion euro.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës foli edhe për problemet me të cilat po përballen konsumatorët gjatë realizimit të thirrjeve.

“Kemi telashe në komunikim, por është problem prej tash e rreth 1 vit, por do të përmirësojmë përmes një kontrate të re me një kompani të madhe për mirëmbajtje. Situata aktuale në Telekom ka nisur më herët. Tash e 4 vjet s’kemi kontratë mirëmbajtjeje dhe si pasojë e kësaj ka ardhur deri te degradimi i shërbimeve. Arsyeja që s’kemi kontratë për mirëmbajtje ka qenë gjendja financiare e Telekomit. Ne i kemi dhënë vazhdimisht para qeverisë, nga 2008 deri më 2015 që ka qenë e fundit, madje kjo e fundit na është marrë jashtëligjshëm. Na janë marrë 15 milionë euro. Në atë kohë ka pasur edhe presione të mëdha nga qeveria që Telekomin ta fusin në kredi. Nuk më kujtohet kush ka qenë në qeveri atëherë, por ka qenë viti 2015-16. Ne kemi kërkuar që këtë dividentë të na e kthejnë, por qeveria ka refuzuar të na e kthejë atë. Unë madje kam kërkuar një garancion bankar, por as kjo s’më është aprovuar”, theksoi Istrefi.

loading…