Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, i cili sot po qëndron në Komunën e Shtimes, ka vizituar edhe Reçakun dhe ka takuar banorët e këtij fshati.

Hamza ka thënë se Reçaku është një thirrje për të mos harruar, por edhe për të punuar shumë për një të ardhme më të mirë.

“Erdha t’i takoj banorët e fshatit Reçak, afër datës përkujtimore të Masakrës së Reçakut.

15 janari i vitit 1999 ishte një thirrje zgjimi për ndërgjegjen botërore dhe mbetet një kujtesë e përhershme e nevojës për drejtësi. Sot është një thirrje për të mos harruar, por për të punuar shumë për një të ardhme më të mirë. Ne folëm edhe për ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe jo vetëm për drejtësinë e munguar. Programi im nuk është thjesht një premtim për të nesërmen. Është një kambanë që fton çdo qytetar të besojë në forcën e tij, në mundësitë që vendi ynë ofron.

Është ftesë për t’u bashkuar që ta bëjmë Kosovën ma të mirë!”, ka shkruar Hamza.