BE thirrje Qeverisë: Të drejtat pronësore të Manastirit të Deçanit të respektohen siç tha Kushtetuesja

Washingtoni dhe Brukseli në vazhdimësi kanë kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që të implementojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Derisa tashmë duket hapur që ka një presion më të shtuar për këtë çështje. Vetëm pak ditë pas thirrjes së Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, të njejtën kërkesë ndaj institucioneve të Kosovës e ka pasur edhe shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, pas vizitës që ka zhvilluar sot në Manastirin e Deçanit.

Pas ShBA-së edhe Zyra e BE-së në Prishtinë ka kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka vizituar sot Manastirin e Deçanit dhe i ka bërë thirrje sërish qeverisë që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit, raporton Gazeta Express.

Szunyog ka shkruar se të drejtat pronësore të Manastirit duhet të respektohen.

“Vizitova Manastirin e Deçanit sot. Toleranca dhe respekti reciprok janë çelësi për një shoqëri multi-etnike dhe demokratike. I bëj thirrje qeverisë së Kosovës ta zbatojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Të drejtat pronësore të Manastirit duhet të respektohen”, ka shkruar shefi i BE-së në Prishtinë.

Para pak ditësh të njëjtën kërkesë e ka pasur edhe Washingtoni. Amabasada amerikanë në Prishtinë në një ‘tweet’ ku flitej për vizitën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani, në SHBA, kishte specifikuar se është koha për zbatimin e të gjitha vendimeve të kësaj Gjykate.

“Institucionet e pavarura të drejtësisë në Kosovë janë jetike për demokracinë e saj. Është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet e lira në Gjykatë”, thuhet në postimin e Ambasadës.

Hiq më larg se para dy muajsh shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kishin dalë me një deklaratë të përbashkët ku kërkonin pa vonesë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastrin e Deçanit.

“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e marrin parasysh dhe mirëpresin deklaratën unanime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 24 shtator lidhur me moszbatimin e vendimeve të mëhershme të saj, përfshirë edhe të vendimit të vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Është shqetësuese se Gjykata Kushtetuese e Kosovës detyrohet t’ua përkujtojë institucioneve ekzekutive të garantojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit në këto raste më se të vonuara.

Siç është theksuar në deklaratën e shteteve të Quint-it të datës 19 maj, respektimi i sundimit të ligjit është obligim i të gjitha qeverive. Ne e nxisim fuqishëm Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë pa vonesë me zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mbështetja e Kosovës për sundim të ligjit dhe gjyqësor të pavarur bazohet në zbatimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha vendimeve të Gjykatës, pavarësisht mospajtimeve politike”, thuhej në komunikatën e përbashkët.