BE: Pas dhjetë vjetëve dialog është koha të lëvizim para drejt një fundi të suksesshëm

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano, ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi ka bërë dallim për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor.

Mirëpo, Stano, ka thënë se pritet që të lëvizet para e të arrihet një përfundim i suksesshëm i procesit të dialogut që nisi dhjetë vjet më parë.

“Synimi i emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili bëri vizitë në Prishtinë e Beograd së fundi, është që të vlerësojë situatën me dy palët se si duan të vazhdojnë procesin. Ka mirëkuptim nga palët se dialogu nuk ka alternativë dhe është kyç për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, pasi rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalon nëpërmjet dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe normalizimit të marrëdhënieve. Dialogu ka bërë dallim të madh për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor. Por, pas dhjetë vjetëve është koha të lëvizin para dhe të sjellim procesin drejt një fundi të suksesshëm, Për këtë po bashkëpunojmë me dy palët për një marrëveshje gjithpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve. Shtetet anëtare të BE-së presin që dialogu të vazhdojë sa më shpejt, e të shohin Beogradin e Prishtinën të angazhohen për të sjellë këtë proces drejt një fundi të suksesshëm”, ka thënë Stano, raporton Tanjug.