BE nuk arrin marrëveshje, nuk ka paketë të nëntë të sanksioneve për Rusinë

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk arritën të bien dakord për një paketë të nëntë të sanksioneve ndaj Rusisë në bisedimet të mërkurën vonë, thanë diplomatët ndërsa liderët e BE-së u mblodhën në Bruksel të enjten për samitin e tyre të fundit të vitit.

Vendet iu afruan një marrëveshjeje në negociatat e së mërkurës, por Polonia dhe disa vende të tjera kanë ende kundërshtime, tha një diplomat i BE për Reuters, duke shtuar se një draft i ri pritej të qarkullonte të enjten në mbrëmje.

Sanksionet e reja ndaj Moskës janë penguar nga mosmarrëveshja nëse BE-ja duhet ta lehtësojë kalimin e eksporteve ruse të plehrave nëpër portet evropiane, edhe në rastin kur kompanitë e plehrave janë në pronësi të oligarkëve të listës së zezë, shkruan The Guardian.

Disa thonë se kufizimet e BE-së përbëjnë një kërcënim për sigurinë ushqimore për vendet në zhvillim, ndërsa të tjerë argumentojnë se lehtësimi i tyre do të lejonte oligarkët rusë që zotërojnë biznese plehrash të shmangin sanksionet e BE-së kundër tyre, transmeton abcnews.al.

Një diplomat i BE-së tha se Polonia dhe shtetet baltike po u thonë vendeve të tjera se po mashtrojnë veten nëse mendojnë se lehtësimi i kufizimeve për plehrat ruse nuk do të abuzohet si një shteg për oligarkët.

Disa shtete anëtare duan që Programi Botëror i Ushqimit të përfshihet në autorizimin për eksportet e plehrave në vendet që kanë nevojë për të. /abcnews.al