BE-ja e padrejtë: Kosovën e mban të izoluar, shtetet fqinje as kriteret nuk i kishin përmbushur kur i kishte liberalizuar

Procesi i liberalizimit të vizave ishte proklamuar gjithmonë si një proces jopolitik. Ai ishte thënë se është një proces teknik i zhvilluar mbi premisat e të qenit strikt, por fer nga ana e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Bashkimi Evropian e ka përmbushur vetëm premisën e të qenit strikt me Kosovën dhe e ka përdhosur tërësisht të dytën, duke mos qenë aspak fer.

Komisioni Evropian kishte iniciuar dialogun e procesit të liberalizimit të vizave për vendet e rajonit tonë qysh në vitin 2008, transmeton Ballkani.info.

Më saktësisht për Serbinë, më 30 janar 2008. Për Maqedoninë, më 20 shkurt 2008. Për Malin e Zi, më 21 shkurt 2008. Për Shqipërinë, më 3 mars 2008 dhe për Bosnje e Hercegovinën më 26 maj 2009.

Në qershor të vitit 2009, Komisioni Evropian kishte publikuar raporte vlerësuese me qëllim të vlerësimit të përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit nga ana e shteteve përkatëse.

Në këto raporte për shtetet e Ballkanit Perëndimor, sa i përket përmbushjes së kritereve të parapara në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave theksohej se Maqedonia kishte përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Mali i Zi dhe Serbia kishin shënuar progres të rëndësishëm në përmbushjen e kritereve, mirëpo një numër i çështjeve kishin mbetur të hapura. Kurse, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina edhe pse kishin arritur progres, ato kishin akoma një numër të kritereve të pa adresuara.

Bazuar në këto raporte, përkundër mospërmbushjes së kritereve, Këshilli Evropian e kishte miratuar propozimin për heqjen e regjimit të vizave për Maqedoninë, e cila konsiderohej se kishte përmbushur të gjitha kriteret dhe për Serbinë e Malin e Zi, të cilat akoma kishin disa kritere të pa përmbushura.

Në rastin e Malit të Zi, zbatimi efektiv i Ligjit për të Huajt, definimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme lidhur me statusin e personave të zhvendosur dhe personave të zhvendosur brenda vendit, duke përfshirë qasjen në dokumentet e identitetit, si dhe forcimi i kapaciteteve në fushën e zbatimit të ligjit dhe zbatimin efektiv të kornizës ligjore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (duke përfshirë edhe alokimin e nevojshëm buxhetor, burimet njerëzore dhe ato teknike), kishin mbetur si çështje të hapura.

Edhe në rastin e Serbisë, Komisioni Evropian kishte identifikuar një sërë kriteresh të pa përmbushura/çështje të hapura, sikurse ishin përmirësimi i mbikëqyrjes së pikave kufitare, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, zbatimi efektiv i Ligjit për të Huajt dhe miratimin e Strategjisë për Menaxhim të Migrimit, zbatimi efektiv i kornizës ligjore për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë alokimin e nevojshëm buxhetor, burimet njerëzore dhe ato teknike. Pastaj edhe integriteti dhe siguria e procedurave që duhet ndjekur në lëshimin e pasaportave biometrike për personat që banojnë në Kosovë, etj.

Në këto raste, edhe pse Komisioni Evropian në raport kishte vlerësuar se Serbia dhe Mali i Zi kishin kritere të pa përmbushura, ai kishte vendosur të vazhdojë të vlerësojë zbatimin e kritereve të hapura për Serbinë dhe Malin e Zi paralelisht me shqyrtimin e propozimit të tij për heqjen e regjimit të vizave në Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian, duke nënkuptuar se këto kritere duhej të plotësoheshin deri në datën e miratimit të këtij propozimi nga Këshilli.

Por, probleme të ngjashme kishin vazhduar t’i përcjellin këto dy shtete dhe shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor edhe pas heqjes së regjimit të vizave, transmeton Ballkani.info.

Në dokumentin punues të Komisionit Evropian, në të cilin monitorohet situata pas liberalizimit të vizave në vendet e Ballkanit Perëndimor, të publikuar më 30 maj 2011, dy vite pas liberalizmit të vizave për Serbinë dhe Malin e Zi, gjendja lidhur me disa nga kriteret të cilat kishin mbetur të pa përmbushura në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdonte të përshkruhej me nota negative. Në lidhje me kriteret e mbetura për Malin e Zi ishin vlerësuar hapat e ndërmarrë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative të organeve të zbatimit të ligjit, megjithatë kapacitetet e tyre hetimore dhe të bashkëpunimit vlerësoheshin si të pamjaftueshme. Kurse sa i përket Serbisë, në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte vlerësuar pozitivisht korniza ligjore dhe institucionale që trajton krimin e organizuar dhe korrupsionin, megjithatë mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare mbetej gjithnjë shqetësim për zbatimin efektiv.

Gjithashtu, atje ende kritikohet mungesa e një baze e të dhënave të centralizuara të informacionit, që do të siguronte shkëmbimin e sigurt dhe të shpejtë të informacionit ndërmjet të gjitha institucioneve të sundimit të ligjit.

Në rastin e Shqipërisë dhe Bosnje e Hercegovinës, problemet kryesore kanë mbetur në fushën e korrupsionit dhe luftës kundër krimit të organizuar. Në rastin e Shqipërisë, sa i përket luftimit të korrupsionit, ka mbetur e pa adresuar çështja se “shumica e rasteve të korrupsionit të hetuar përfshinin zyrtarë të nivelit të ulët”. Në këtë drejtim, ishte rekomanduar që “autoritetet kompetente hetimore duhet të jenë më proaktive dhe duhet të bëhet progres i mëtejshëm për ndryshimin e legjislacionit, në mënyrë që të sigurohet se shtrirja e gjerë e imuniteteve të gjyqtarëve dhe politikanëve nuk do të rrezikojnë ndjekjen penale efektive në rastet e korrupsionit”. Për më tepër, edhe në raportin e monitorimit pas liberalizimit të vizave, në rastin e Shqipërisë ishte theksuar se “Regjistrat e hetimeve, ndjekjes penale dhe dënimeve për krim të organizuar dhe korrupsion mbeten të ulëta dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet forcimit të kapaciteteve të agjencive të zbatimit të ligjit me anë të burimeve financiare dhe njerëzore shtesë”, thuhej në këtë raport, transmeton Ballkani.info.

Edhe në rastin e Bosnje e Hercegovinës nuk kishte raste të korrupsionit të nivelit të lartë të cilët ishin dënuar. Raporti për këtë shtet vlerësonte se “një numër i rasteve të nivelit të lartë që përfshijnë politikanë të lartë dhe nëpunësit civilë janë akoma në fazën e ndjekjes penale”. Për më tepër, Bosnje e Hercegovina as pas marrjes së liberalizimit të vizave nuk e kishte të themeluar Agjencinë Kundër Korrupsion.

Komisioni Evropian në rastin e Kosovës ishte treguar shumë strikt, duke dyfishuar numrin e kritereve, nga 45 sa kishin vendet tjera, në 95 kritere dhe shumë rekomandime të tjera të cilat ishin shtuar gjatë këtij procesi.

Për dallim prej vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosovës madje i ishin vendosur edhe kritere që i tejkalojnë standardet e shumë shteteve anëtare të BE-së dhe metodologjia e përdorur në rastin e Kosovës ishte tepër selektive dhe shumë më ndryshe prej metodologjisë që BE-ja kishte përdorur me shtetet e tjera të rajonit tonë.

Megjithatë, tani përkundër që edhe vetë Bashkimi Evropian konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ky institucion që proklamohet si fer vazhdon padrejtësisht të mos i heq vizat për kosovarët.

Për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian përveçse nuk ishte strikt, atyre ua kishte hequr vizat ende pa i përmbushur në tërësi as vetë kriteret për liberalizim të vizave. /Ballkani.info/