BE-ja dënon transferimin e dhunshëm të migrantëve në Bosnje

Bashkimi Evropian e dënoi transferimin e dhunshëm të qindra migrantëve në kampin Vuçjak, pranë qytetit Bihaq të Bosnjës, dhe u bëri thirrje autoriteteve që ta ndalojnë praktikën e tillë.

Delegacioni i BE-së në Bosnje takoi të premten zyrtarët lokalë.

“Në bisedat tona me autoritetet përkatëse e kemi bërë të qartë se kampi Vuçjak duhet të mbyllet. Jo vetëm që është një vend i pasigurt, por edhe i padenjë”, tha përmes një deklarate delegacioni i BE-së.

Autoritetet në Bosnje janë përballur vazhdimisht me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut për shkak të kushteve në kampin Vuçjak, i cili ndodhet në afërsi të një zone me mina, që kanë mbetur nga lufta e viteve 1992-95.

Përkundër kësaj, policia ka zhvendosur këtë javë në Vuçjak qindra migrantë që jetonin në ndërtesa të braktisura dhe hapësira publike.

Kryetari i Bihaqit, Suhret Fazliq, ka paralajmëruar se qyteti i tij nuk do të mund t’ia dalë më me mijëra njerëzit në kamp.

Delegacioni i Bashkimit Evropian tha se BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë të konsiderueshme për përmirësimin e kushteve në kampet ekzistuese në Bosnje dhe rikujtoi se blloku, vitin e kaluar, ka ndarë 34 milionë euro për këtë qëllim.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, në Bosnje aktualisht ndodhen 7,500 migrantë – kryesisht të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci – vend anëtar i Bashkimit Evropian – dhe të vazhdojnë më pas më në perëndim.

loading…