BE i pret fondet Serbisë? Eurodeputetët: Jo ndihma kujt nuk ndjek politikat tona

“Paratë e taksapaguesve të BE-së nuk mund të shpenzohen për vende kandidate që nuk ndajnë synimet strategjike të Unionit”.

Parlamenti Evropian dëshiron që fondet për Serbinë të rishikohen nëse presidenti Vuçiç nuk do të vendosë t’i bashkohet politikës së sanksioneve të bllokut ndaj Rusisë.

Rekomandimi do të votohet në seancën e ardhshme plenare. Më herët, Komisioni Evropian publikoi raportin e zgjerimit, ku Serbia stigmatizohej pse nuk kishte përshtatur politikat e saj me ato të BE-së.

“Pengimi i politikës së përbashkët evropiane ka koston e tij politike dhe financiare. Kur bëhet fjalë për koston financiare, Serbia duhet të mendohet mirë sepse në nivel investimesh, vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë investuar 20 herë më shumë sesa Federata Ruse”, tha Tonino Picula, eurodeputet kroat, nga social-demokratët.

Serbia është e polarizuar. Duke qenë se shumica e votuesve kanë simpati për Moskën, presidenti Vuçiq ka pranuar se politikat aktuale të jashtme dhe ato të sigurisë të BE-së nuk janë në përputhje me mandatin elektoral.

“Serbia, e parë nga Bashkimi Evropian, regjistroi hap pas vetëm në një fushë. Nuk ka fusha të tjera ku ajo refuzohet përveç përshtatjes së politikës së jashtme me atë të bllokut evropian. E rëndësishme për qytetarët serbë është të themi se kjo është e vërtetë. S’kam asgjë për të shtuar apo për të hequr. Është e vërtetë, për këtë votuam ne”, u shpreh Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Raporti i BE-së zbulon edhe një mosbesim të Unionit ndaj Serbisë sa i takon marrëdhënieve të vështira të saj me Kosovën dhe rritjes së përplasjeve diplomatike me fqinjët e saj si Kroacinë dhe Malin e Zi.

Marrëdhëniet e ngrohta të Beogradit me Moskën dhe Pekinin po kontrollohen me vëmendje si nga NATO ashtu edhe nga Bashkimi Evropian./Euronews